Analisti Bleron Baraliu ka thënë se shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila do të duhej të jepte dorëheqje pas publikimit të bisedave me Sllavko Simiqin e Listës Serbe.
Ai në një postim në Facebook ka thënë se kjo është dashur të ndodhte një minutë pas daljes së incizimit në publik.
Sipas Baraliut, i cili ka përkrahur ngjitjen e LVV-së në pushtet më 2021, i ka cilësuar “çaste hipokrizie dhe marrëzie” përgjimet e Kusari-Lilës.
“Në secilën demokraci normale Mimoza Kusari do të duhej të jepte dorëheqje një orë pas takimit të tillë me Sllavkon, e nëse jo atëherë, atëherë një minut pas daljes së inçizimit në publik. Kaq e thjeshtë është kjo. Nuk ka rëndësi që ‘gazetari’ ‘zbulues’ po e interpreton e keqinterpretpn secilën germë e fjalë të inçizimit, as kur po mundohet me na bindë se nuk e ka marrë inçizimin direkt prej Sllavkos (gati i mbet n’fyt diçka tuj ‘qartësu’ këtë). Në inçizim ka mjaft çaste të hipokrizisë e marrëzisë që nuk i përkasin një deputeti, aq më pak një udhëheqëse të grupit më të madh parlamentar në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Baraliu.