Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka falënderuar zëvendës ndihmës sekretarin, Matthew Palmer, për vizitën disa ditore në Kosovë dhe takimet produktive me liderët e Kosovës.
Në një publikim të kësaj ambasade në Twitter, Palmer është falënderuar edhe për kontributin e tij në rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.
“Faleminderit zëvendësndihmës sekretarit të shtetit, Matthew Palmer për vizitën e tij, takimet produktive me liderët kosovarë, përsëritjen e partneritetit në mes të dy vendeve dhe rinisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga BE-ja” – thuhet në publikimin e Ambasadës Amerikanë në Twitter.
Kujtojmë se Palmer po vazhdon të qëndrojë në Kosovë, në kuadër të një vizite disa ditore, të cilën e realizoi bashkë me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Gjatë një konferencë për media që u mbajtën dje, Palmer tha se qëllimi kryesor i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja e ndërsjellë dhe se SHBA nuk do të gjejë kompromise për arritjen e një marrëveshje finale, pasi një gjë e tillë u takon Prishtinës dhe Beogradit./Botapress/