Ahmeti është shprehur se zgjedhjet janë të panevojshme dhe të paparashikueshne nëse e kemi parasysh krizën globale energjetike, që e ka kapluar jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe gjithë rajonin.
Zgjedhjet e parakohshme vitin e ardhshme janë të panevojshme, pasi përpara Qeverisë, janë shumë sfida që kërkojnë menaxhim dhe zgjidhje. Kështu ka thënë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në takimin tradicional për fundvit me gazetarët, ndërsa ka përmendur si sfidë më madhe Marrëveshjen me Bullgarinë.
Sipas tij, zgjedhjet janë të panevojshme dhe të paparashikueshne nëse e kemi parasysh krizën globale energjetike, që e ka kapluar jo vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe gjithë rajonin. Sfidë më e madhe, thotë ai, është Marrëveshja me Bullgarinë dhe, mendon që pa një marrëveshje me Sofjen, nuk do të ishin të mira zgjedhjet e parakohshme.
Ai është shprehur se tashmë ka sinjale pozitive që palët mund të ofrohen dhe vendi është në pritje që pas përmbylljes së festave, të ketë një epilog pozitiv. Lideri i BDI-së u shpreh gjithashtu se i takon “kampit të optimistëve” se është e afërt zgjidhja, pavarësisht temave folklorike dhe emocionale që herë pas here preken nga të dyja palët. Është temë e ndjeshme thotë ai, dhe kjo është arsyeja pse gjithsecili duhet t’i qaset kontestit me seriozitet dhe jo me emocione.
Në takimin me gazetarët, Ahmeti ka informuar edhe për takimin me liderin e ri të LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, për të cilin tha se është i njohur ne LSDM dhe e njeh punën organizative edhe të Qeverisë. Tha se edhe me Kovaçevskin, marrëveshja për koalicionim me LSDM-në do të vijojë të zbatohet, ndërsa është shprehur se nuk do të ketë mosmarrëveshje. Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim edhe të opozitës, pasi siç u shpreh, është çështje nga e cila varet e ardhmja e vendit./Botapress.info/