Gjatë ditës së mërkure, Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, “lëshoi” një video në profilin e tij në Facebook, në të cilin komentoi situatën në veri të Kosovës. Në videon gati 10-minutëshe, Kurti foli në serbisht, duke tentuar të përçojë mesazhin e tij te serbët, të cilët e popullojnë në shumicë pjesën e tensionuar të veriut të Kosovës. Por një deklaratë rreth politikanit serb, Aleksandar Jabllanoviq, e ka kthyer Kurtin në objekt talljeje.
Por, fillimisht, le të rikujtojmë se çfarë tha saktësisht Kurti në lidhje me Jabllanoviqin. Duke komentuar dorëheqjen e tij dy ditë para zgjedhjeve për kryetar të Leposaviqit, Kurti lëshoi një informatë, që më shumë i ngjante thashëthemeve.
“E gjithë kjo për asgjë. Kam menduar se të paktën Aleksandar Jabllanoviq do të fitonte në Leposaviq, por ai doli nga gara më 21 prill, dy ditë para fitores së sigurt. Kam dëgjuar se ka fituar një milion euro dhe dy banesa në Beograd. Ndoshta nuk është e saktë, por gjithsesi duhet të jetë presion tepër i madh apo ofertë tepër luksoze, që e ka shtyrë Jabllanoviqin të thotë se ai nuk do të gjuajë menjëherë penalltinë.” – shkroi ai.
Reagimet…
I pari që reagoi për këtë informacion ishte vetë Jabllanoviq, që ishte protagonisti i thashethemes së Kurtit. Jabllanoviq përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Tëitter, shkroi se në një sistem demokratik, sot ai ose kryeministri Kurti do të duhej të ishin duke u intervistuar në zyrën e prokurorit.
Por politikani serb nuk ngurroi të ironizojë me deklaratën e Kurtit, duke thënë se do t’ia japë kryeministrit një banesë dhe gjysmën e parave, nëse i tregon se ku është pjesa tjetër.
“Në një sistem serioz demokratik sot, në zyrën e prokurorit për t’u intervistuar do të ishte ose zotëriu Albin Kurti ose une. Meqë jemi larg prej demokracisë, po i jap kryeministrit një banesë dhe 500 mijë euro, dhe vetëm po e pyes atë të më tregojë se ku është tjetra banesë dhe pjesa tjetër e parave.” – shkroi politikani serb.
Ndërsa, me Kurtin është tallur edhe analisti Halil Matoshi. Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se kryeministri po flet me tahmin.
“Albin Tahmini! Kryeministri ka nisë me i besu rrenat e kuzhinës së tij, që prodhon propagandë ma shumë se bukë!? Kjo âsht e rrezikshme dhe e damshme për kredibilitetin e shtetit. Me menu turmat si Kryeministri, munet me psu nji individ a dy, e kur Kryeministri menon si turmat, mos vet, pason shteti dhe krejt shoqnia! P.S. Nuk ka Kryeministër të nji shteti normal demokratik, që flet në publik me tahmin, “kam dëgju”, “më kanë thânë” etj.”, shkroi Matoshi.
Ndërsa Betim Gjoshi, sekretar i PDK-së, deklaratën e Kurtit e ka cilësuar si ofendim ndaj institucioneve të drejtësisë. Tutje, Gjoshi e ka cilësuar Kurtin si “degradues të madh të postit të kryeministrit të Kosovës”.
“Deklarata e sotme e Kurtit e degradon postin e kryeministrit dhe e bënë zyrën e tij një institucion që mbështetet në thashetheme e fjalë të kafeneve. Gjithashtu, kjo deklaratë, fyen punën e institucioneve tjera shtetërore dhe sidomos atyre të sigurisë/drejtësisë. Në fakt, e gjithë karriera politike opozitare e Kurtit është e mbështetur në thashetheme të tilla, konspiracione e shpifje për kundërshtarët politikë shqiptar.” – shkroi ai.
Ndryshe, situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, ndërsa Kurti tashmë ka treguar se do të udhëtoj për në Bruksel, për një takim të nivelit të lartë.