Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, po vazhdon përpjekjen e ti kundër Asociacionit një-etnik, ashtu siç i referohet kryeministri Asociacionit të komunave me SHUMICË serbe. Madje, z. Kurti e ka publikuar edhe një grafikë me komunat që udhëhiqen nga joserbët në Serbi, duke e shtruar edhe një pyetje.
Sipas Kurtit, janë gjithsej 21 minoritete në Serbi, ndërsa 11 komuna udhëhiqen nga kryetarë joserb. Andaj z. Kurti ka një pyetje.
“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?” – pyeti z. Kurti.
Në shkrimin e titulluar “Asociacionet e komunave mbi baza etnike në Serbi?”, Kurit numëroi edhe 21 minoritetet që sipas tij llogariten si të tilla në Serbi.
“Minoritete në Serbi zyrtarisht llogariten 21 sosh: kroatët, bunjevcët, bullgarët, boshnjakët, shqiptarët, hungarezët, romët, rumunët, rusinët, sllovakët, ukrainsët, lidhja hebreje, ashkalinjët, vllehët, grekët, egjiptianët, gjermanët, sllovenët, çekët, maqedonët, malazezët.” – shkroi Kurti.
Takimi në rezidencë…
Ndryshe, pas takimit të 31 janarit në Ambasadën e Amerikës në Prishtinë rreth Asociacionit, u pa një reflektim nga ana e kryeministrit Albin Kurti, i cili e pranoi këtë marrëveshje, ndonëse i vendosi disa kushte. Pas 6 kushteve, Ambasada e ShBA-së do të organizojë përsëri një takim në selinë e saj.
Por kësaj radhe takimi do të jetë joformal. Megjithatë tema është e njëjtë, aty sërish do të diskutohet për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në një përgjigje për Nacionalen, një zëdhënës i Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, deklaroi se pritet të mbahet një mledhje e re për Asociacionin, duke insistuar se është takim jozyrtar.
“Pas diskutimit produktiv më 31 janar me një gamë të gjerë aktorësh në Ambasadën e SHBA-së, Ambasadori do ta thërrasë një mbledhje jozyrtare në rezidencën e tij për ta lehtësuar bisedën e mëtejshme. Nuk ka program formal e as temë të diskutimit.” – deklaroi ky zëdhënës, transmeton Nacionale.
Ende nuk dihet saktë se kush do të jetë pjesë e takimit të 9 shkurtit, ndonëse jozyrtarisht, Nacionale mëson se në mbledhjen jozyrtare do të shkon përfaqësuesi i LDK-së, Lutfi Haziri. Ndërsa nga AAK-ja do të jetë z. Ardian Gjini.
Kujtojmë që muajin që shkoi, më saktësisht më 31 janar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kishte organizuar një takim në objektin e saj, në të cilën morën pjesë shumë personalitete, përfshirë dy anëtarë të Qeverisë Kurti nga radhët e komuniteteve pakicë. Por në takimin e ftuar nga Hovenier shkoi edhe Arben Vitia, ministër i Shëndetësisë dhe Arbërie Nagavci, ministre e Arsimit, të cilët janë po ashtu pjesë e partisë së kryeministrit Albin Kurti.
Por Kurti në një intervistë për Radio Evropën e Lirë e kishte shpallur publikisht se ai nuk ishte ftuar në takimin e 31 janarit, duke kritikuar Gabriel Escobarin si zyrtarin që e shtyu organizimin e takimit në Ambasadën Amerikane.
“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet.” – citohet të ketë thënë tutje ai.
Ndërsa, ambasadori amerikan Jeff Hovenier, që e moderoi diskutimin në fjalë, u shpreh me anë të një postimi në Twitter njoftoi për një gjë të tillë.
“Sot ne mbajtëm një sesion dëgjimor në Ambasdën e ShBA-ve në Prishtinë mbi Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mirënjohës për palët e interesit që ishin të pranishme e që ndanë pikëpamjet dhe ekspertizën e tyre. Ne vazhdojmë të avokojmë për zbatimin e të gjitha zotimeve në Dialog,” – shprehej ai.