Tani, pas disa ditësh që të gjithë e thamë mendimin tonë mbi infermieren e re të Pejës, e cila pa menduar, pa vënë zemrën para veprimit që “hakmarrja primitive” i tha të bëjë, goditi, përqeshi të moshuarën e sëmurë, faleni atë! “Më goditi e para”, tha. “Pak e kishte aq sa po i bëja”.
Edhe ne moralistët e gjithçkaje, ne që falim trafikantë vajzash e grash shqiptare dhe frekuentojmë restorantet, rezortet, baret luksoze që ata kanë ngritur kudo duke i quajtur me respekt biznesmenë. Ne që iu bëjmë reklamë bananeve me kokainë dhe bërtasim të gëzuar sa më shumë të na kenë paguar. Ne që blejmë apartamentet në ndërtimet e tyre, ne që marrim rrogat në bizneset e tyre, ne jemi, ishim, të pamëshirshëm me këtë vajzë. Ne që bëhemi “tapetë” para politikanësh që kanë bërë keq e më keq sa ajo bëri në dhomat e shtëpisë së të moshuarve në atë kodrinë në Pejë, ne që admirojnë orat rolex e vilat miliona euroshe të gjyqtarëve e politikanëve tanë, ne që blejmë unaza, gjerdanë e bizhuteri të vjedhura me dhunë grave në Evropë, mirë e bëmë që u revoltuam. Por a jemi edhe ne “të fortë” me atë që nuk kemi frikë dhe servilë dhe admirues me kë është realisht i pasur dhe me pushtet?
Atëherë, duhet ta falim këtë vajzë e të shohim tek ajo të gjithë problemet që bartim si individë në tranzicionin tonë. Le të shërbejë infermierja e Pejës si një pasqyrë ku ne të shohim brenda vetes dhe të korrigjojm