Radio Televizioni i Kosovës ka më shumë se dy vite që udhëhiqet nga një bord i ri, që u votua në Kuvend në fund të vitit 2021. Bordi i RTK-së së fundmi është vënë në shënjestër të kritikave nga Sindikata e RTK-së, por edhe nga gazetarë të ndryshëm të saj. Akuza për seksizëm, shpërthime ndaj kërkesave të Bordit, kërkesa për dorëheqje, por edhe sqarime nga kryetari i Bordit janë disa nga ngjarjet e 24 orëve të fundit. Si po përzihet RTK-ja?
Që në mëngjes, Sindikata e Pavarur e RTK-së e lëshoi një komunikatë për medie, e cila në fakt ishte më shumë një reagim publik ndaj kryetarit të Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Në reagimin e tyre, Sindikata e ka denoncuar gjuhën seksiste që sipas tyre e ka përdorur kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini. Ata theksuan se Boletini ka deklaruar se punetorët e RTK-së shfaqen në punë me pizhame e minifunde.
“Sindikata e Pavarur e RTK-së reagon ashpër kundër deklaratës skandaloze të kryetarit të Bordit Besnik Boletini për punëtorët e RTK-së. Në takimin e Bordit të mbajtur me datë 6 shtator 2023, në praninë e vëzhgueses së Sindikatës si dhe të gazetares së BIRN-it, kryetari Besnik Boletini ka deklaruar:
“Mendoj se duhet të marrim një vendim për raport mujor të secilit punëtor në RTK sepse unë përditë marr informacione se punëtorët vijnë me pizhame, miniqa, vijnë bëjnë check out dhe kjo është e papranueshme”.” – thuhet në reagim.
Ndërsa në reagimin e tij, Boletini shkroi se termet e përdorura janë cituar pa u përpunuar. Pra, sipas Boletinit, termet e përdorura nuk kanë qenë konstatim i tij, por citime që prezantojnë një përceptim. Tutje, ai theksoi se është keqcituar qëllimshëm dhe se i është manipuluar konteksti.
“Sigurisht që nuk ka qenë mënyra më e mirë për ta përshkruar dukurinë e pretenduar, por gjatë debatit e kam bërë përshkrimin eksplicitë siç më është thënë, pa e përpunuar. Asnjëherë dhe në asnjë rrethanë për të përshkruar diçka tjetër, apo për të fyer dike. Sot përmes një sqarimi lidhur me vendimin dhe këtë çështje, u kam shprehur keqardhjen të gjithë punonjësve të RTK-së, nëse ndokush është ndjerë keq, duke marrë parasysh se është bërë edhe një keq-citim i qëllimshëm dhe manipulim i kontekstit nga disa individë. Pasi që nuk kam thënë që po vijnë në atë mënyrë në punë. Kam folur vetëm për evidentimin.” – shkroi ai tutje.
Ndërsa mbrëmë gazetari i RTK-së, Fisnik Durguti, reagoi në lidhje me kërkesa nga Bordi i RTK-së. Ai ironizoi me anëtarët e Bordit, duke i quajtur “mendjendriturit e RTK-së”.
“Jam duke e shikuar dhe lexuar “mendjendriturit e RTK-së” bordin.
Njëmend bordi i kaluar,(disa) ishin vënë në interesa personale por që këso “perla” sikur te bordit të tashëm nuk kam pa askund!!!!
Paramendoje duhet të shkruhet raport ditor me sa njerëz, bashkëbisedues ka komunikuar një gazetar!” – shkroi ai fillimisht, duke pyetur nëse “janë mirë” anëtarët e Bordit të RTK-së.
Tutje, ai shkroi se RTK-ja është bërë vend i eksperimenteve.
“Në vend se të punoni se si të gjendet zgjidhje e hapsirave të punës, krijimin e kushteve të punës ( kamera të mjaftueshme, montazha, grafika, etj etj), financim të qëndrueshëm, rritjen e pagave (që nuk kanë lëvizur fare, më shumë se një dekadë) ju merreni me kënd fol në telefon një gazetar.
Për besë ju e kompleksoni edhe atë ministrin japonez që deshi te bëjë vetëvrasje (apo bëri) vetëm pse trenat iu vonuan 1 minut në vit në tërë Japoninë.” – përfundoi z. Durguti.
Ndryshe përzgjedhja e anëtarëve të Bordit të RTK-së ishte përshëndetur si nismë e mirë, ndërsa organizatat ndërkombëtare procesin e cilësuan si demokratik e meritokratik.