Me urdhër të Prokurorisë Speciale, Policia e Kosovës ka arrestuar 31 persona të dyshuar për dallavere me subvencionet, raporton Botapress.
Aksioni i Policisë së Kosovës është zhvilluar në tetë komuna të vendit, Pejë, Istog, Ferizaj, Lipjan, Prishtinë, Kllokot, Vushtrri dhe Podujevë.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Policia e Kosovës, përkatësisht Hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike, kanë realizuar një aksion i cili është vazhdim i aksioneve të mëhershme për rastin Subvencioni 2021, në disa lokacione të ndryshme të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Nga 31 të arrestuarit, 19 prej tyre janë qytetarë ndërkaq 12 zyrtarë nëpër komuna.
“Prokuroria Speciale njofton se nga ky aksion janë ndaluar dhe intervistuar gjithsejtë tridhjetenjë (31) persona, prej tyre dymbëdhjetë (12) zyrtarë me pozita të ndryshme nga komunat dhe zyrat rajonale të Agjencionit Zhvillimor të Bujqësisë dhe zyrës rajonale të APK”, thuhet në njoftim.