Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Edhe mbrëmë, ra në prangat e Policisë një 30-vjeçar i dyshuar për shitblerje të drogës.
Siç merr vesh Sinjali, i dyshuari është kapur në Fushë Kosovë, ku pas kontrollit të veturës, iu gjet një sasi e substancës së dyshuar narkotike, e llojit “Speed”.
Droga është sekuestruar nga ana e zyrtarëve policorë, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion, ku është intervistuar nga hetuesit policorë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndaj tij, është hapur rasti në drejtim të veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.