Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka paralajmëruar se protestat e transportuesve në Ballkanin Perëndimor dhe kufizimet e reja të Bashkimit Evropian për qëndrimin e shoferëve po shkaktojnë humbje të mëdha ekonomike, shtrenjtim të transportit dhe rrezik për mungesë të produkteve në Kosovë dhe rajon.
Shahini për Ekonomia Online tha se vendimi që shoferët nga Ballkani Perëndimor të mos qëndrojnë më shumë se 90 ditë në çdo gjashtëmujor në zonën Shengen, gjithsej 180 ditë në vit, i ka trajtuar ata si turistë dhe ka nxitur revoltë në sektorin e transportit.
“Bllokadat që janë organizue nga transportuesit e Ballkanit Perëndimor në raport me vendimin e Bashkimit Evropian që shoferët mos të kenë të drejtë më shumë për të qëndruar në Bashkimin Evropian se 90 ditë në gjashtëmujorin e parë dhe 90 në gjashtëmujorin e dytë, gjithsej 180 ditë, kanë ngritë revoltë të madhe dhe kanë ngritë pasiguri në transportin ndërkombëtar, për arsye se shoferët tashmë trajtohen sikur turistë ”, tha ai.
Sipas tij, transportuesit po kërkojnë leje speciale që shoferët të trajtohen si punëtorë dhe jo si vizitorë, pas zbatimit të sistemit EES që regjistron hyrje-daljet në BE.
“Dhe kjo ka bërë që këta të ngrihen me të drejtë për të kërkuar leje speciale që ata mos të trajtohen sikur turistë, por të trajtohen si punëtorë që mos t’u kufizohet hyrje-dalja pas aplikimit të vitit të kaluar të sistemit EES, që numëron ditët hyrje-dalje të çdo personi nga Ballkani Perëndimor që shkon në Evropë. Kjo po ka krijuar tollovi të madhe, po krijon humbje financiare, mungesë të produkteve dhe nëse i ndalim dhe e analizojmë, rreth 20 mijë mauna që janë tashmë të bllokuara mes transportit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës, e kap një kosto ditore rreth 1 miliard euro të importeve dhe eksporteve që ka Bashkimi Evropian me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo është një humbje shumë e madhe ”, tha ai.
Ai bëri thirrje që qeveritë e rajonit të reagojnë menjëherë ndaj Brukselit.
“Prandaj, të gjitha qeveritë e Ballkanit Perëndimor do të duhet që ata t’i drejtohen Bashkimit Evropian për t’i dhënë një mundësi shoferëve, kompanive, bizneseve, transportuesve, që shoferëve të tyre mos t’u numërohen ditët e qëndrimit në Evropë si turistë, por të kenë të drejtë ata të qëndrojnë varësisht prej situatës ”, tha ai.
Duke marrë shembull Kosovën, Shahini theksoi se rreth dy mijë mauna transportojnë mallra drejt vendeve të BE-së dhe se kufizimet kohore e bëjnë pothuajse të pamundur kryerjen e shumë udhëtimeve brenda tre muajve.
“Ta marrim shembull: Kosova ka rreth 2 mijë mauna që bartin mallra të ndryshme, sipas një evidence – kjo mund të jetë plus-minus. Nëse një shofer me një maunë niset për të dërguar një dërgesë të mallrave në vendet e Bashkimit Evropian, në thellësi të saj, diku në vendet skandinave ku duhet të udhëtojë më shumë se 7 ditë – për arsye të kufizimit të qarkullimit në rrugë, nuk kanë të drejtë më shumë se 9 orë shoferët të ecin, po ata duhet të bëjnë ndalesa dhe ato ndalesa janë të mëdha ”, tha ai.
Sipas Shahinit, mungesa e shoferëve, kërkesa e madhe nga Gjermania dhe bllokadat kanë bërë që çmimi i transportit ndërkombëtar të rritet tashmë për 15 deri në 20 për qind.
“Kompanitë duhen që të gjejnë punëtorë të rinj; punëtorë të rinj nuk ka, gjithmonë flas për shoferë. Gjermania është duke kërkuar shoferë pa limit numër dhe me paga shumë të mëdha, prandaj këto do t’u shkojnë në favor shoferëve të cilët janë në Bashkimin Evropian. Këto ditë që po flasim, transporti ndërkombëtar në raport me Ballkanin Perëndimor është shtrenjtuar 15 deri 20%, e që i bie këtu 300 deri 500 euro më shtrenjtë transporti për arsye të bllokadave ”, tha ai.
Ai paralajmëroi se nëse situata vazhdon, Kosova, e cila sipas tij mbulon rreth 90 për qind të konsumit përmes importit, mund të përballet me mungesa dhe rritje çmimesh.
“Dhe nëse kjo do të vazhdojë, në Ballkanin Perëndimor do të ketë mungesë të produkteve e sidomos në Kosovë, ku ne kemi importuar vitin e kaluar 7 miliardë ose 90% të konsumit mvaremi nga importi. Do të fillojmë të kemi mungesë të produkteve, njëkohësisht do të fillojmë të kemi edhe shtrenjtim të produkteve. Prandaj, këtu duhet reagimi i shpejtë i të gjitha qeverive të Ballkanit Perëndimor në raport me Bashkimin Evropian. Gjithmonë jemi duke folur për dy blloqe: bllokun e Bashkimit Evropian dhe bllokun e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët nuk janë në trajtim të barabartë të punëtorëve, sidomos të shoferëve” tha ai.
Ai shtoi se vendimi i ri i BE-së po prek shoferët dhe bizneset në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Dhe këto humbje janë dhe po krijohen në raport mes dy blloqeve që janë të padrejta, dhe shoferët dhe bizneset e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor – duke përfshirë Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjën që më së shumti importuesit kosovarë i përdorin këto mauna ose këto biznese, këta shoferë – janë apo janë goditur nga ky rend i ri ose nga ky vendim i ri që ka filluar në vjeshtën e vonshme të vitit të kaluar për t’u aplikuar për të gjithë shoferët e Ballkanit Perëndimor”, tha ai.
Nga e hëna, transportuesit e mallrave kanë organizuar protestë të koordinuar në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, duke përfshirë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke paralajmëruar bllokim të qarkullimit të automjeteve transportuese.
Shoqata maqedonase e transportit “Makam-trans” tha në një deklaratë se protesta është kundër sistemit të ri për regjistrimin e ditëve të qëndrimit të profesionistëve të transportit në zonën Shengen.Sipas paralajmërimit, qarkullimi i mallrave do të ndalohet, ndërsa automjetet e udhëtarëve dhe autobusët do të lëvizin pa ndërprerje.
Organizatorët paralajmërojnë që protesta mund të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi të ndërpritet më herët nëse arsyet për të cilat është organizuar tejkalohen.



Të tjera
Aktuale
Osmani tregon detaje për takimin me Trump
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa
Showbiz
Maria shfaqet provokuese në fustanin që thekson linjat perfekte
Maria Domark, figura e njohur nga
Lajme Opinione
Koci godet opozitën, e cilëson të ‘coftë’ dhe të traumatizuar prej Albinit
Avokati Arianit Koci përmes një postimi