Me rastin e ndarjes nga jeta të prof. Ymer Muhaxheri, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dërgon këtë telegram ngushëllimi:
“Me dhimbje mora lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Ymer Muhaxheri, kryetarit dhe themeluesit të degës së LDK-së në qytetin e Pejës.
Prof. Ymer Muhaxheri ishte një intelektual, patriot e veprimtar i çështjes kombëtare. Gjithë jetën e tij ia kushtoj arsimit dhe edukimit të gjeneratave të tëra. Ai si profesor i filozofisë, po ua trasonte rrugën e lirisë të rinjve që në vitet 90’ta, bashkë me të cilët u bënë bartësit kryesor në çlirimin e Kosovës.
Prof. Ymer Muhaxheri, kishte raport të veçantë me Presidentin historik, Ibrahim Rugova. Ai i ishte mësuesi i tij, e më pas, në vitet e rrugëtimit për liri e pavarësi ishte njeriu më i afërt i Presidentit Rugova në të gjitha proceset me rëndësi për vendin.
I urti i LDK-së, Prof. Ymer Muhaxheri, ishte kolos i dijes dhe i lirisë. Mbi katër dekada kontribuoi në arsim, e tërë jetën ishte në shërbim të vendit.
Prof. Ymer Muhaxheri, si kryetar i degës së LDK-së në qytetin e Pejës ka qenë afër të gjithë qytetarëve në çdo kohë e rrethanë. Ai kontribut të çmuar ka dhënë edhe pasluftës si deputet i Parlamentit të Kosovës.
Duke nderuar jetën dhe veprën e bujshme të prof. Ymer Muhaxherit ne nderojmë një pjesë të shndritshme të historisë sonë. Ai mbetet personalitet që ka lënë gjurmë të pashlyeshme për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Në emrin tim dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Muhaxheri, kryetarit të Komunës, Gazmend Muhaxheri dhe gjithë qytetarëve të Pejës.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!”