Abdixhiku me video: Nesër unë dhe Vjosa ju presim në tubimin e madh

Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, doli me një video pas mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm ku u miratua marrëveshja për garim të përbashkët me Vjosa Osmanin, e cila do të jetë kandidate për presidente dhe bartëse e listës së kësaj partie. Vetë Abdixhiku do të jetë kandidat për kryeministër.

Ai tha se bashkë me Osmanin vendosën që ta “kapërcejnë veten” e të bashkohen për t’i dhënë vendit një kapitull të ri të bashkëpunimit.

“Ka kohë që kam folur për këtë bashkim dhe kemi punuar fort për këtë bashkim sepse në politikë sikurse në jetë kur populli nuk kërkon shumë, kërkon vetëm një arsye për të besuar përsëri. Një shenjë që njerëzit që e duan këtë vend dinë ta kapërcejnë veten, të bëhen bashkë dhe ta vendosin Kosovën mbi çdo gjë tjetër. Vjosa dhe unë kemi vendosur që ta bëjmë pikërisht këtë. Të bashkohemi. T’i japim vendit një kapitull tjetër”.

Abdixhiku bëri thirrje që t’i bashkohen në këtë garë.

“Për kohën që nuk guxon të na ikë më, për mundësinë e rrallë që ta nxjerrim Kosovën nga përçarja e lodhja politike dhe ta vendosim në rrugën e qetësisë, zhvillimit dhe dinjitetit shtetëror. Natyrisht, kjo mundësi nuk i takon vetëm dy njerëzve, më së paku vetëm mua dhe Vjosës. Na takon të gjithëve. Të takon edhe ty”.

Në fund, Abdixhiku njoftoi për një tubim të përbashkët me Osmanin ku ftoi qytetarët që t’i bashkohen.

“Nesër, Vjosa dhe unë, ju presim, nga ora 18:00 në AMC Hall, në tubimin e madh të bashkimit. Ejani. Le ta nisim bashkë këtë rrugëtim të madh për vendi”.

Të tjera