Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar Xhemail Mustafën, në 25-vjetorin e vrasjes së tij.
Abdixhiku tha se nëntori, muaj i festave kombëtare, mbetet edhe muaj i dhembjes për familjen Mustafa, LDK-në dhe gjithë vendin.
Ai përmes një postimi në Facebook, kujtoi 23 nëntorin e vitit 2000, ditën kur Mustafa u vra para banesës së familjes, duke e cilësuar këtë akt si një hallkë të re në zinxhirin e atentateve ndaj intelektualëve shqiptarë, raporton Klankosova.tv.
“Xhema ishte fjalëpaku, punëtori i palodhur, njeriu i përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Si ideator, themelues dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ai qëndroi përkrah Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në vitet më të vështira të shtetformimit. Jeta dhe vepra e tij dëshmojnë një rrugëtim të mbushur me mund, sakrificë e përkushtim të pakompromis”, shkroi kreu i LDK-së.
Abdixhiku vlerësoi edhe punën e tij si gazetar publicist e shkrimtar duke e konsideruar si një zë kumbues të së vërtetës mbi luftën në Kosovë.
“Si gazetar, publicist e shkrimtar, arma e tij më e fortë ishte pena e cila mbeti besnike ndaj tij edhe pas vdekjes. Përmes librave e shkrimeve të shumta, ai na kthen në vitet më të errëta të ekzistencës sonë kombëtare. Vepra “Një lutje për Prishtinën” është pasqyrë e gjallë e realitetit të Kosovës së vitit 1999.
Xhemail Mustafa ishte zëri kumbues i së vërtetës për luftën në Kosovë, një zë që jehonte deri në qendrat më të mëdha ndërkombëtare. Edhe pse fizikisht u shua, ideali i tij, kontributi atdhetar, mendimi i tij publicistik e krijimtaria poetike mbeten përjetësisht gurëthemel i Republikës sonë.
Nëntori i festave u bë i pamëshirshëm për ne me humbjen e ikonës së LDK-së. Dhimbja rritet çdo ditë që zbardhja e këtij krimi mungon. Ata që s’e deshën lirinë e Kosovës, nuk e deshën as Xhemën. Detyrim i yni është gjetja e autorëve të këtij krimi, për Xhemën dhe për Kosovën.
I përjetshëm qoftë kujtimi për veprimtarin e shquar, Xhemail Mustafa”, thuhet në shkrimin e postuar nga LDK-ja.
Sakaq, nesër nga ora 12:00, në ish-objektin e Gërmisë (pranë sheshit Skenderbeu), organizohet Akademi Përkujtimore për Mustafën



Të tjera
Uncategorized
Die besten Dreamplay Casino Boni und wie Sie diese nutzen können
In diesem Artikel werden wir die
Uncategorized
Sprawdź nasze recenzje gry Mucha Mayana w kasynach online
W artykule przyjrzymy się grze Mucha
Lajme
Emërohet kryeshefi i ri ekzekutiv i KEK-ut
Bordi i Drejtorëve të Korporatës Energjetike