Lumir Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka reaguar lidhur me vdekjen e Eliot Engel, duke thënë se ky i fundit ishte mik i madh i Kosovës.
Engel, ka shtuar Abdixhiku, ka qenë një nga zërat më të fuqishëm në vitet vendimtare për fatin e popullit të Kosovës.
‘’ Nuk u tërhoq në asnjë moment kritik; përkundrazi, qëndroi fort, me bindje të palëkundur, në anën e drejtë të historisë. Angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën e vendos atë ndër miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë’’, ka thënë ai.
Postimi:
Me pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të mikut të madh të Kosovës, kongresistit Eliot Engel.
Në vitet më vendimtare për fatin e popullit tonë, ai ishte një nga zërat më të fuqishëm dhe më të vendosur në mbrojtje të së drejtës sonë për liri. Nuk u tërhoq në asnjë moment kritik; përkundrazi, qëndroi fort, me bindje të palëkundur, në anën e drejtë të historisë. Angazhimi i tij i pandalshëm për Kosovën e vendos atë ndër miqtë më të mëdhenj që kemi pasur ndonjëherë.
Marrëdhënia e tij e veçantë me Presidentin Historik Ibrahim Rugova dhe mbështetja e tij e fuqishme për vizionin e Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, janë dëshmi e një përkushtimi të rrallë dhe të sinqertë. Ai nuk ishte vetëm një aleat politik, ishte një mik i vërtetë i popullit tonë. Dekorimi i tij nga Presidenti Rugova me Medaljen e Artë të Lirisë në vitin 2004 ishte simbol i vogël përballë madhështisë së kontributit të tij.
Kontributi i kongresistit Eliot Engel në afirmimin e së vërtetës për Kosovën dhe në forcimin e lidhjes sonë të përhershme me SHBA-të është i jashtëzakonshëm dhe i pashlyeshëm.
Sot, Kosova ka humbur një mik të madh. Por vepra, fjala dhe përkushtimi i tij do të jetojnë përherë në themelet e shtetit tonë.
Ngushëllimet më të sinqerta familjes Engel, popullit amerikan dhe të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.



Të tjera
Aktuale
Policia apelon për kujdes ndaj mesazheve mashtruese në emër të bankave
Policia e Kosovës, i është drejtuar
Aktuale
Ish-nënkryetarja e LDK-së i bashkohet ekipit të Kurtit
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka
Lajme
Ekzekutohen pagat e prillit: Pezullohet greva e punëtorëve teknikë në shkollat e Prishtinës
Punëtorët teknikë në disa shkolla të