Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Abazi është deklaruar pas intervistimit në prokurori për deklaratat e dhënë për rastin e zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit.
Abazi nuk ka dhënë detaje për atë se çka ka deklaruar brenda prokurorisë. Por ka përdorur një shprehje që sipas tij e përshkruan situatën, e që të lë të kuptohet se fjalën e ka për kryeministrin Kurti.
“Kur hynë palaçoja në pallat mbretëror nuk bëhet mbret, vetëm mbretëria bëhet cirkus”, ka thënë.
Ditë më parë, Abazi tha se ekzistojnë video-incizimet ku shihet se kush i ka zhdukur mostrat e aktivistit Astrit Dehari. Gjatë konferencës për media, të enjten kërkoi po ashtu që prokuroria duhet të marr në pyetje edhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiun si dhe Dejona Mihalin, Nazlie Balajn dhe Flutura Gogaj Bajrami.