“Nga kjo konferencë ne ju bëmë thirrje prindërve që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe apeluam tek mësimdhënësit që të jenë pjesë e procesit mësimor duke e ndalur grevën. Qeveria e Kosovës tashmë ka vendosur në diskutim publik Ligjin për Paga, ku mësimdhënësit trajtohen me paga të dinjitetshme si dhe është përkujdesur me Pakon e re mbështetëse në ndihmë të qytetarëve karshi inflacionit”, shkroi Bulliqi të dielën.
Sekretari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, Ymer Ymeri, tha se në komunën e Kamenicës dhe Podujevës po mbahet mësim vetëm në nga një shkollë, ndërsa në Gjilan e Shtime greva po vazhdon në të gjitha shkollat.
“Sipas informacioneve që kemi ka filluar mësimi në Busavatë të komunës së Kamenicës. Në Podujevë mësimin e ka nisur shkolla ku kryeministri dje ka shpërndarë libra. Në Gjjilan dhe në Shtime sipas informatave që kemi mësimi nuk ka filluar në asnjë shkollë”, tha Ymeri për Express.
Ndryshe nga Ymeri, zëdhënësja e komunës së Kamenicës, Lidijona Marovca. Ajo tha mësimi ka nisur në disa shkolla të Kamenicës.
“Po, procesi i mësimit ka nisur në disa shkolla. Aktualisht jemi për vizitë nga afër në shkollën “Hasan Prishtina” në Busavatë. Por, ka edhe shkolla të tjera që e kanë nisur mësimin pjesërisht në disa paralele”, është shprehur Marovca për Klankosova.tv.
Ymeri tha se deri tani, për ditën e sotme, nuk është raportuar ndonjë rast i presionit ndaj mësimdhënësve, përveç në një shkollë dhe në një çerdhe.
“Ende nuk janë raportuar raste për presion, përveç dy-tri rasteve, në një shkollë ku kanë shkuar një numër shumë i vogël i prindërve nxënësve dhe një çerdhe në Prishtinë, ku kanë shkuar disa prindër dhe disa fëmijë, që në një far forme, me bo presion me nis mësimi”, tha sekretari i SBASHK-ut.
Për mosfillimin e procesit mësimor, Ymeri kërkoi mirëkuptimin e prindërve, derisa i këshilloi që presionet t’i orientojnë nga Qeveria.
“Ne kërkojmë mirëkuptimin e prindërve. Nuk mund të thehet greva me presione të prindërve dhe fëmijëve, por presionet duhet të orientohen nga qeveria që të ulemi të bisedojmë dhe të gjejmë një zgjidhje”, deklaroi Ymeri.
Kujtojmë që sot është dita e 13-të e grevës dhe deri më tani nuk ka pasur takim mes Qeverisë dhe SBASHK-ut.