Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka marrë vendim për revokimin e licencës ndaj shtëpisë të të moshurave “Orenda” në Pejë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me arsyet se pse është revokuar licenca ose cilat janë gjetjet e raportit të inspektimit.
Lidhur me këtë, MFPT nëpërmjet një njoftimi tre paragrafësh, ka bërë të ditur se vendimi për revokim të licencës është marrë në një mbledhje urgjente të Komisionit Licencues.
“Pas publikimit të pamjeve të sulmit fizik ndaj të moshuarës në subjektin “Orenda” në Pejë, Njësia e Inspektimit të Shërbimeve Sociale ka bërë inspektimin e menjëherëshëm të vendit të ngjarjes, si dhe intervistimin e stafit të qendrës dhe dëshmitarëve të rastit. Me përmbylljen e raportit të inspektimit, i njëjti i është dorëzuar sot Komisionit Licencues, i cili ka mbajtur një takim urgjent ku është marrë vendim që subjektit “Orenda” t’i revokohet licenca për ofrimin e shërbimeve sociale. Sipas vendimit të Komisionit, subjekti në fjalë është i obliguar që brenda një afati 24 orësh t’i njoftojë familjarët e rezidentëve lidhur me vendimin, kurse deri më datë 7 nëntor (e hënë) obligohet të dorëzojë licencën dhe të mbyll aktivitetin e ofrimit të shërbimeve sociale.”, thuhet në njoftim.
Lajmi.net ka kërkuar përgjigje në Ministrinë e udhëhequr nga Hekuran Murati lidhur me kriteret mbi të cilat “Orenda” ka marrë licencën nga organi përgjegjës në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, por nuk ka marrë përgjigje. Përgjigje lajmi.net nuk ka marrë nga MFPT-ja as kur janë pyetur nëse janë kryer inspektime më herët në këtë qendër.
Në anën tjetër, Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare parasheh se duhet të kryhen inspektime në këto qendra dhe të hartohen raporte vjetore me shkrim që reflektojnë gjetjet e inspektimeve të kryera.
Më saktësisht, ligji thotë se Departamenti për Mirëqenie Sociale ka për detyrë: “inspektimin, komisionimin e shërbimeve sociale dhe familjare në institucionet e përcaktuara me ligj, si dhe në organizatat joqeveritare dhe në sektorin privat. Në lidhje me këto aktivitete përpilon një raport vjetor me shkrim.”
Ky ligj, gjithashtu parasheh se: “.Të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare duhet të bashkëpunojnë në vazhdimësi me zyrtarët e departamentit përkatës që bëjnë monitorimin dhe inspektimin e shërbimeve sociale dhe familjare dhe të bëjnë të mundshme që menjëherë të shikohen në mënyrë të papenguar të gjitha shënimet, dokumentet dhe personat të cilat i kërkon. Në të kundërtën, mosbashkëpunimi me Ministrinë në mënyrë të vazhdueshme, mund të rezultojë me ndalimin e ofrimit të shërbimeve sociale dhe familjare.”.
Lajmi.net menjëherë pas publikimit të njoftimit për revokimin e licencës ka dërguar pyetje në ministrinë e Hekuran Muratit për t’i pyetur rreth gjetjeve të raportit të inspektimit dhe nëse janë kryer edhe më herët inspektime në këtë qendër, por nuk ka marrë përgjigje.
Sa i përket inspektimeve, lajmi.net ka kërkuar përgjigje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë, por të njëjtit kanë dhënë se nuk është në kompetencën e tyre të kryejnë inspektime, ani pse këtë e kanë bërë në rastin e Orendës, duke marrë parasysh se aty kanë qenë të punësuara edhe disa profesioniste shëndetësore.
Por, mbi të njëjtën arsye, pra, faktin që kanë qenë të punësuara profesioniste shëndetësore, MSH-ja nuk ka kryer inspektime më herët në këtë qendër.
Ajo që mbetet të sqarohet nga kjo situatë është nëse MFPT-ja ka kryer ose jo inspektime më herët siç parashihet me ligj e që bie në përgjegjësinë e Departamentit për mirëqenie sociale në kuadër të kësaj ministrie. /Botapress.info/