Kryeministri Albin Kurti dhe ministri Armend Meha ditë më parë i kanë prezantuar dronët Bayraktar TB-2 të blerë në Turqi. Të gjitha marrëveshjet e shitblerjeve të armëve janë të klasifikuara dhe nuk dihet nëse me ekspozimin e dronëve, Kosova nuk e ka respektuar marrëveshjen. Këtë nuk e ka treguar qartë as Ministria e Mbrojtjes.
E pyetur se a është kontrata e klasifikuar dhe a lejohej ekspozimi i dronëve në publik, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje konkrete.
“Lënda është e klasifikuar dhe rrjedhimisht nuk mund të ndajmë me ju detaje të tjera rreth kësaj çështje përveç asaj që tashmë është bërë publike. Pra, FSK në arsenalin e saj ushtarak posedon dronë, ndërsa po vazhdojmë investimin në drejtim të furnizimit të ushtrisë me armatimet dhe pajisjet më moderne ushtarake konform standardeve të NATO-s”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.
Disa oficerë të FSK-ja, siç është njoftuar nga kryeministri Kurti, tashmë kanë përfunduar trajnimin për t’i përdorur dronët. Megjithatë, Kosova ende nuk është përgjegjëse për hapësirën e saj ajrore. Për të ende pyetet KFOR-i, i cili ka reaguar edhe publikisht.
Përmes një komunikate, KFOR-i kanë deklaruar se ata kanë autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë.
“Lidhur me përdorimin e të gjitha kategorive të dronëve dhe kufizimet përkatëse, duke përfshirë Bayraktar TB-2, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, Komandanti i Forcave të Kosovës (KFOR) ka autoritetin kryesor për hapësirën ajrore mbi Kosovë”, thuhet në komunikatën e KFOR-it.
KFOR-i ka sqaruar se hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovë nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale.
“Hapësira e sipërme ajrore e Kosovës mund të përdoret vetëm për të fluturuar mbi Kosovën nga një vend në tjetrin përmes fluturimeve komerciale; hapësira e poshtme ajrore mund të përdoret për nevoja specifike, rast pas rasti dhe sipas autorizimit të mëparshëm nga komandanti i KFOR-it. Presim që institucionet në Kosovë të sigurojnë koordinim dhe të respektojnë procedurat ekzistuese”, thuhet më tej.
KFOR-i thotë se vazhdon të mbështesë zhvillimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës, sipas mandatit të tyre fillestar.
“Mbështesim FSK-në për operacionet e mbrojtjes civile siç janë shuarja e zjarrit, asgjësimi i mjeteve shpërthyese, kërkimi dhe shpëtimi dhe reagimi ndaj derdhjeve të materialeve të rrezikshme”. /Botapress.info/