Tomë Gashi, avokati i familjes Dehari, ka thënë të hënën në mbrëmje se nuk ka marrë përgjigje nga Prokuroria Speciale rreth kërkesës së tij për të qenë prezent në intervistimin e Haki Abazit.
Në Radio Televizionin e Kosovës, Gashi ka deklaruar se, sipas Kodit të Procedurës Penale, duhet t’i lejohet pjesëmarrja në intervistimin e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Unë pres që prokurori z. Shefkiu ta trajtojë këtë kërkesë pak më seriozisht, dhe meqë kodi i procedurës penale e lejon që avokati të jetë prezent. Mirëpo, këtë do ta shohim nesër në orën 10:00 pranë Prokurorisë Speciale, unë do të jem aty”, ka thënë ai.
“Deputeti Haki Abazi ka qenë kontradiktor me deklarimet e tij javën e kaluar”, ka deklaruar avokati Gashi.
Intervistimi i deputetit Abazi në cilësinë e dëshmitarit rreth deklaratave të tij për rastin Dehari, është caktuar për të martën në orën 10:00.
Lajmin e ka bërë të ditur të hënën Tomë Gashi.
“Prokuroria Speciale ka bërë me dije se ai [Haki Abazi, v.j] do të merret në pyetje në cilësinë e dëshmitarit nesër më 21.02.2023”, ka thënë avokati Gashi, teksa ka bërë të ditur se ka dorëzuar një kërkesë në Prokurorinë Speciale që t’i lejohet prezenca gjatë intervistimit.
“Ne cilësinë e përfaqësuesit juridik të familjes Dehari sot me shkrim kam kërkuar që të marr pjesë gjatë marrjes në pyetje të tijë në Prokurori”, ka thënë sot Gashi.
Haki Abazi, në një konferencë për media të enjten, ka folur për disa video-incizime, të cilat sipas tij, “konfirmojnë se kush i ka mostrat e rastit Dehari”.
“Video-incizimet janë ato që duhet t’i kërkoni për të konfirmuar se kush i ka zhdukur mostrat e Astrit Deharit”, ka thënë deputeti i LVV-së.