Një listë ish-diplomatësh të lartë ndërkombëtarë janë thirrur në apel për t’u pyetur si dëshmitarë në favor të Hashim Thaçit dhe komandatëve të tjerë të luftës që janë në paraburgim që prej gati dy vjetësh: nga Wesley Clark, ish-komandant i trupave të NATO-s në Evropë, tek Bernard Kushner, ish-kreu i adminisratës së OKB-së në Kosovë, nga William Walker, ish-shef i misionit të OSBE në Kosovë tek Daan Everts, ish-shef i OSBE, Tiranë. Ish-sekretarja amerikane shtetit Madeleine Albright dhe diplomati Riçhard Holbrooke kanë ndëruar jetë, por edhe ata do të ishin në këte listë që mund të përfshinte edhe personazhe si Bill Klinton dhe Toni Blair, dy frymëzuesit e luftës morale të Perëndimit dhe NATO-s kundër regjimit nacionalfashist të Beogradit.
Ka edhe një mori shqiptarësh që mund të shfajësonin mbrojtësit e një populli që më pak se çerek shekulli më parë kërcënohej me genocid. Mund të ishte Majko e Meta, asokohe kryeministër dhe zëvendëskryeministër të Shqipërisë. Pavarësisht parapëlqimeve vetjake, prapangjarjeve dhe ligjësisë historike që i shndërron zakonisht heronjtë e luftës çlirimtare në uzurpatorë të paqes, secili nga ta do të ndante rolin e UÇK-së dhe të vetë Thaçit e Komandateve te tij nga akuzat. Nga ai serial juridik i prodhuar prej zhgënjimesh të reja, dashurish të vjetra dhe interesave që tejkalojnë fatin e individëve. Lista e mbrojtjes mund të përfshijë edhe shumë emra të tjerë, shqiptare dhe të huaj, por më shumë se prania, aty do të tmerronte mungesa. Jo nevoja e munguar, por llogaria për t’u vetëpërjashtuar.
Sali Berisha dhe Albin Kurti nuk do t’i përgjigjeshin apelit edhe sikur t’u thirrej emri. Njëri ish-president, ish-kryeministër dhe i dorëhequr nga dorëheqja e tij në PD dhe tjetri kryeministër i Republikës së Kosovës. Të dy së bashku, ata janë kundërshtarë ideologjikë të Thaçit. Shumë më shumë Kurti dhe më pak edhe Berisha, kanë përfituar direkt dhe indirekt nga drama jo vetjake e komandantëve të UÇK-së. I pari e pa të hapur rrugën drejt qeverisjes në Prishtine, i dyti e konsideronte mikun e armikut të tij, armik vetjak. Kjo është drama ciklike, spiralja mizore që ka shoqëruar historikisht shqiptarët që raporti me pushtetin, i kushtezon të sillen armiqësisht me njëri-tjetrin.
Ndërhyrja kontraverse e Ramës kundër rezolutës famëkeqe të Dick-ut në Këshillin e Evropës mund të kishte një mijë e një arsye për t’u qortuar, korrigjuar apo ndryshuar në formë, por nuk do të duhej të kishte asnjë shqiptar të ndershëm që të kundërshtonte thelbin e saj. Por Sali Berisha, njeriu që mund të kishte shfrytëzuar po një mijë e një herë rastin që të kishte kërkuar falje për votën shqiptare pro DickRezolutës apo edhe per te shpjeguar pamundësinë për të vepruar ndryshe në atë kohë, zgjodhi të merret me formën për shkak të urrejtjes thelbesore për Ramën.