Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), gjatë ditës së djeshme i kanë shpallur një grup serbësh nga Kosova dhe bizneset e tyre në Veri të vendit si veprimtari kriminale dhe të korruptuara. Në mesin e personave që janë sanksionuar nga Thesari amerikan është nënkryetari i Listës Serbe Milan Radojiçiq dhe dy vëllëzërit Veselinoviq, Zvonko dhe Zharko, të cilët njihen si bosa të krimit në Veri. Veprimi i SHBA-së u përshëndet nga kryeministri Albin Kurti, i cili paralajmëroi sot se me të sanksionuarit do të merret edhe drejtësia e Kosovës.
Por, për dallim nga kryeministri Kurti i cili foli për kokat e krimit në veri, Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë zgjedhur të heshtin për këtë rast. Deri në publikimin e këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje nëse ky grup serbësh do të hetohet dhe nëse informacionet e marra nga SHBA do të rezultojnë me arrestime në Kosovë.
Në reagimin e tij në Beograd, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia të kryejë hetime.
Por, çfarë duhet bërë shteti i Kosovës në këtë situatë?
Për këtë temë për Gazetën Express ka folur avokati Arbër Jashari dhe Drejtori Ekzekutiv i IKD-së Ehat Miftaraj.
Avokati Arbër Jashari thotë se saksionimi i këtyre personave është indikacion i mjaftueshëm që Prokuroria e Shtetit t’i nisë hetimet ndaj tyre dhe bizneseve që udhëhiqen nga ta.
“Sanksionimi i personave të caktuar nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është indikacion i mjaftueshme për Prokurorinë e Shtetit, që të filloj hetimet për ata persona ose kompanitë e tyre. Kjo kur dihet, se ky sanksionim, vjen nga një institucion kredibi(Departamenti i Thesarit), i një shteti të fuqishëm(SHBA), me demokraci të zhvilluar, dhe si i tillë, është i mbështetur në informata të verifikuara. I takon Prokurorisë së Republikës së Kosovës, qe për veprat penale, të cilat mund të jenë kryer në Kosovë, të zhvilloj hetime, e pse jo edhe të propozoj ngrirjen e aseteve, ose konfiskimin e pasurisë për persona të caktuara”, u shpreh avokati Jashari për Gazetën Express.
Ai thotë se Kosova përmes organizatave ndërkombëtare duhet t’i bëjë presion Serbisë që personat që strehohen atje e që lidhen me veprimtari kriminale në Kosovë, duhet t’i kthehen Kosovës.
“Sa i përket të pandehurve, të cilët strehohen në Republikën e Serbisë, njëherë për njëherë, shkak të specifikave politike, është zor e besueshme, se kjo e fundit do t’i kthej në Kosovë. Gjithsesi, shteti ynë, përmes organizatave ndërkombëtare dhe misioneve diplomatike, duhet t’i bëjë presion Serbisë, që ata të arrestohen dhe t’i dorëzohen Kosovës. Luftimi i Krimit të Organizuar dhe i Korrupsionit është në interes edhe të Serbisë, madje edhe të vet rajonit dhe me gjerë”, u shpreh ai tutje.
Ehat Miftaraj, drejtor ekzekutiv në IKD, teksa foli për këtë temë u shpreh se sanksionet e qeverisë amerikane ndaj personave të tillë kanë për qëllim promovimin e sundimit të ligjit.
“Presidenti Biden ka nënshkruar në qershor të vitit 2021 Memorandumin për themelimin e luftës kundër korrupsionit si interes kryesor për sigurinë nacionale të ShBA-së në botë. Kjo qasje e re amerikane konsideron se persona apo grupe të fuqishme në çdo shtet të botës të cilat bien në kundërshtim me ligjin apo cënojnë vlerat dhe parimet e sundimit të ligjit, konsiderohen se cënojnë edhe sigurinë nacionale në ShBA. Në këtë drejtim edhe sanksionet apo veprimet e qeverisë amerikane ndaj personave të tillë si duket kanë për qëllim promovimin e sundimit të ligjit”, tha Miftaraj për Gazetën Express.
Sanksionet e SHBA-së të vendosura karshi këtyre personave, Miftaraj i sheh si veprime të ndërmarra nga Administrata e Biden për shkak të mosreagimit të shteteve prej nga vijnë këto grupe kriminale.
“Një qasje e tillë e qeverisë amerikane është kryesisht si rezultat se keta persona duke shfrytëzuar autoritetin dhe pushtetin e tyre qoftë në raport me politikën apo sistemin e drejtësisë arrin që të i siguroj vetës pandëshkueshmëri dhe amnisti edhe në rastet kur ka prova, fakte dhe dëshmi se janë të përfshirë në veprimtari kriminale. Mosreagimi i institucioneve në shtetet nga vijnë këto grupe kriminale, ka ndikuar që Administrata Biden përmes kësaj forme t’i ndëshkojë”, tha ai.
Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja e Departamentit të Thesarit të ShBA-së ka targetuar 16 individë nga 24 entite në disa shtete të evropës dhe Hemisferës Veriore, në mesin e tyre edhe Zvonko Veselinoviqin dhe grupin e tij të krimit të organizuar si përgjegjës për trafikimin e mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve mes Kosovës dhe Serbisë njofton kjo zyrë përmes një komunikate për media, transmeton Gazeta Express.
Në komunikatë ndër të tjera thuhet se Zvonko Veselinoviq dhe vëllai i tij Zharko Jovan Veselinoviq kanë pasur marrëveshje me politikanë për t’i ndihmuar partitë e tyre për t’i fituar zgjedhjet dhe në këmbim politikanët do t’i garantonin vëllezërve Veselinoviq kontrollë të disa bisneseve në disa rajone.
Lista e grupit të organizuar kriminal të Zvonko Veselinoviqit përfshinë: Marko Rosiq, Andrija Zheljko Bojiq, Srdjan Milivoje Vuloviq, Milan Mihajloviq, Miljan Radisavljevic, Radovan Radiq, Sinisa Nedeljkoviq, Radule Steviq.