Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka qenë shumë i qartë për qëllimin e tij kryesor në pushtimin e Ukrainës.
Ai dëshiron të çarmatos vendin, t’i shkëpusë lidhjet me NATO dhe t’i jap fund aspiratave të Ukrainës për një bashkim me perëndimin.
Por, cili është plani i detajuar i Putin, pas pushtimit të Ukrainës? Çfarë më tutje? Lajmi.net ua përcjell më poshtë disa prej opsioneve për të cilat shkruan CNN.
Aneksimi Krimea 2.0
Nëse forcat ruse janë në gjendje të pushtojnë qytetin port të Ukrainës, Odessa, është e mundur të imagjinohet një urë tokësore që shtrihet në të gjithë Ukrainën jugore, madje potencialisht që lidh Transnistrinë – një enklavë separatiste në Moldavi, ku janë vendosur trupat ruse – me Odesën, Krimenë dhe Ukrainën jugore dhe lindore.
Një Ukrainë e ndarë:
Nëse Putin ka ndarjen në mendje, Ukraina galike dhe qyteti i Lvivit – afër kufirit me Poloninë – mund që potencialisht të jenë pjesë e një lloj shteti ukrainas, derisa Rusia përqendron vëmendjen e saj në lindje të vendit.
Një shtet pro-rus:
Zyrtarët e inteligjencës perëndimore paralajmërojnë se Rusia po planifikon të rrëzojë qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike të Ukrainës, duke e zëvendësuar atë me një regjim kukull. Putini ka sugjeruar se e sheh qeverinë aktuale të zgjedhur në mënyrë demokratike në Ukrainë si të paligjshme dhe u ankua për rrëzimin e presidentit pro-rus Viktor Yanukovych në 2014. Ukraina ka politikanë të tjerë që mund të jenë të etur për të mbushur radhët e një qeverie pro-ruse, të instaluar me shumë gjasë me përdorimin e forcës.
Një okupim jo i lehtë:
Rusia thotë se nuk dëshiron të jetë okupuese, por është lehtë të imagjinohet një skenar ku Rusia provon të imponojë formën e saj të sundimit të ashpër në Ukrainë, përkthen lajmi.net. Kjo do të ishte pilulë e vështirë për t’u gëlltitur nga ukrainasit, pasi ata kanë shtyp të lirë, politikë lokale të lirë dhe traditë të protestave në rrugë. Në sistemin politik rus, protestat e vërteta të opozitës janë kryesisht të ndaluara, ose vështirë të organizuara.
Një okupim i dhunshëm:
Putini nuk e kishte problem të mbështeste të fortit vendas, të dhunshmit, duke treguar respekt të paktë për të drejtat e njeriut. Ngritja e tij politike filloi me pacifikimin e Çeçenisë, një republikë e shkëputur në Kaukazin verior të Rusisë.
Një republikë e frikës:
Rusia ka një aparat të frikshëm të sigurisë së brendshme që burgos dhe persekuton disidentët dhe i mban jashtë politikës kundërshtarët potencialisht shqetësues. Ukrainasit që jetojnë në Krime – e cila u pushtua nga Rusia në 2014 dhe u aneksua pas një referendumi të konsideruar gjerësisht si një mashtrim – përjetuan nga dora e parë se si është të jetosh në një shtet ku FSB, shërbimi shtetëror i sigurisë ruse, është i plotfuqishëm.