Shqiptarët e Kosovës në përgjithësi dhe shqiptarët e Mitrovicës në veçanti duket se i kanë “qit punët në terezi” me të gjallët dhe tash po merren me të vdekurit. Po mbledhin e po i kthejnë eshtrat e personaliteteve të vdekur e të shpërndarë në vende të rajonit e deri në Amerikë, në ndërkohë që më shumë se gjysma e popullatës së gjallë e Kosovës mëzi presin që të largohen nga Kosova.
Poashtu gjysma e po kësaj popullate të gjallë jetojnë “për gazepi” mezi e përthekojnë javën me javë e muajin me muaj, nuk kanë para as për gjysmën e faturës së shtrenjtë të energjisë elektrike dhe nuk ju kujtohet kur kanë ngrënë një racion ushqimi të ngrohtë me mish pule a viçi.
Mitrovica po i sjell eshtrat dhe po i restauron kullat e veprimtarëve të vdekur të cilët sa ishin gjallë lufutan për bashkimin e trojeve shqiptare ndërkaq ata, të shkretët, nuk e dijnë se jo që nuk janë bashkuar trojet shqiptare, por është ndarë në dy pjesë edhe qyteti i tyre i Mitrovicës, në Veriun e kontrolluar nga serbët dhe në Jugun e menaxhuar nga shqiptarët.
Nejsë, po vazhdojmë me rend!
Kush i ktheu eshtrat e Isa Boletinit në Boletin: Hoxha Mulla Asllan Murati apo Agim Bahtiri?
Mitrovica e Jugut ishte stolisur me flamuj, kryesisht kuq e zi. Stadiumi i qytetit ishte përlot, jo vetëm në tribuna por edhe në fushë. I madh e i vogël kishte ardhë atë ditë në Kosova rivarros heroin shqiptar Isa Boletini | Balkan Insight
Historia e kthimit të eshtrave të Isa Boletinit ka një kronologji bukur të gjatë kohore, me personalitete të njohur të jetës publike, politike e kulturore dhe me plot dilema: A janë eshtrat e vërtetë të Isa Boletinit ata që prehen sot në Boletin apo historia e eshtrave të Isës ngjan me histroinë e eshtrave të Kolonelit Z te romani “Kthimi i ushtrisë së vdekur” i Ismail Kadaresë?!
Por “odiseja” e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit, fillimisht në fshatin Zhabar e më pas në Boleti, ka filluar me hoxhën Mulla Asllan Muratin. Në idenë për rrugëtimin e eshtrave të Isa Boletinit prej varrezave të Podgoricës në Boletin, janë përfshirë edhe emrat si Presidenti Ibrahim Rugova, profesori i ndjerë Latif Berisha, Pajazit Nushi etj etj etj.
Por meritat dhe “dekoratat” folkloriko patriotike i mori Agim Bahtiri, ish-kryetari i Mitrovicës.
Agim Bahtiri tha: Unë do t’i rivarrosh eshtrat e Isa Boletinit në Boletin. Përballë trysnisë politike serbe dhe kundërshtimit në heshtje të KFOR-it, Agim Bahtiri- Flamurtari, shkoi në Kullën e Isa Boletinit në Boletin dhe në oborrrin e vogël prej rreth 3 ari, i gjeti një vend për varr edhe Isa Boletinit.
Agim Bahtiri u kthy fitimtar nga Boletini. Atje, e la Isën në varr, në oborrin e Kullës së tij në një hapësirë prej vetëm 3 ari oborr.
Përballë Kullës së Isa Boletinit, krejt përballë, vetëm një rrugë 5 a 6 metra larg gjendet Manastiri Ortodoks serb që shtrihet në një hapësirë prej 10 hektarësh.
Isa Boletini sa ishte gjallë kishte një vilajet të tijin.
Sot ai është “tkurrur” vetëm në një varr prej 2X1,5 metra dhe në një oborr prej vetëm 3 ari tokë.
Vilajetin e tij e ka uzurpuar “Majka Makaria” (nuk e di a është ende gjallë) shenjtëresha e Manastirit Ortodoks serbe ne Boletin. Aty shërbejnë disa murgesha të veshura në të zeza dhe me duar bardh si bora e përballë Kishës, tash e 22 vjet, prej pas çlirimit, bëjnë roje ushtarët e KFOR-it grek! Ekskluzivisht ushtarët grek të KFOR-it!
Po të kishte mundësi të ngritej nga varri Isa Boletini dhe ta shihte veten se ku ka përfunduar Vilajeti i tij në vetëm 3 ari tokë, do t’ia kishte veshë nga një flakareshë Agim Bahtirit dhe krejt agim bahtirave të tjerë të Mitrovicës e të Kosovës që janë gëzuar e krenuar me sjelljen e eshtrave të tij në Boletin por që kanë lejuar që të uzurpohet pasuria e tij nga Manastiri ortodoks në krye me “Majka Makarian”
Por, Isa Boletini prehet në oborrin e Kullës së tij në një hapësirë prej rreth 3 ari tokë.
Në Boletin nuk jeton asnjë familje shqiptare.
Agim Bahtiri u rikthy në Holandë te familja për biznes!
Përballë Kullës së Isa Boletinit kryhet liturgjia ortodokse e Manastirit të “Majka Makaries” në një hapësirë prej më shumë se 10 hektarësh tokë, krejt kjo pronë e rrethuar me murin e madh e të gjatë me para të Ministrisë së Kulturës së Kosovës!
Historia e sjelljes së eshtrave të Isa Boletinit vazhdon të interpretohet me këngë me qiftelia, por jo në Veri të Mitrovicës, në Jug dhe anembanë ku ka shqiptarë që siç thotë Naim Abazi, “ku thonë bukës bukë e ujit uj!’
Kulla e Xhafer Devës dhe idealizmi folkloriko-patriotik i profesorit, analistit e mikut tim Nexhmedin Spahiu
Nuk e kam ndëgjaur por e kam lexuar dikund se Nexhi, alias Nexhmedin Spahiu paska thënë se Xhafer Deva qenka personalitet më i madh se sa Adem Jashari!
Parimisht Nexhmedin Spahiu ka të drejtë të shpreh mendimin e tij, edhe pse nuk pajtohem. Pse jo?
Krejt historia jonë e lavdishme kombëtare është e thurur në folklor burimor, histori me qiftelia, e padokumentuar ose tepër vonë e shkruar.
Popujt e tjerë kanë Epin e Gilgameshit e Iliadën e Homerit të shkruara 5 apo 6 shekuj para Erës së Re, ndërkaq ne kemi Mesharin e Gjon Buzukut të vitit 1555!
Në i themi vetit se jemi pasardhës të Ilirëve ndërkaq shkenca, as shkenca folklorike albanologjike nuk ka arritur të zbulojë së paku një faqe teskt të shkruar në Ilirishte për ta ndërlidhur me shqipen tonë të somte. Madje studiuesit e mirëfilltë të Albanologjisë, sipas parimit fonetik e fonologjik e ndajnë shqipen prej Ilirishtes: Ilirishtja i takon grupit të gjuhëve CENTUM ndërkaq shqipja është SATEM!
Por sikur nuk mjafton kjo!
Edhe sot kur Kongresi i unifikimit të gjuhës shqipe ende nuk i ka mbushur 5 decenie, ka albanologë naivë e disidentë të sëmurë në kokë, që në emër të “inatit” ndaj “primatit” të toskërishtes (sipas tyre të toskërishtes së Enver Hoxhës!!!) tentojnë të fusin në përdorim në të folur e në të shkruar një gegnishte të çoroditur të llojit “du me shkrue e me lexue siç un’ due!”
Nejse,”nxirr një kashtë e dalin gjashtë!”
Po rikthehem të Xhafer Deva e Nexhmedin Spahiu!
Në kohën e shtrenjtimit të dyfishtë të faturave të energjisë elektrike (vetëm për shqiptarët se serbët në Veri nuk e paguajnë energjinë elektrike, atyre ua paguan rrymën tash e 20 vjet Qeveria e Kosovës!) në kohën e ngritjes enorme të çmimeve të prodhimeve ushqimeve, e madje në kohën e eskalimit të Luftës së Ftohtë mes Lindjes Ruse e Perëndimit Evroamerikanë në Ukrainë, gjendet Nexhmedin Spahiu që e lartëson Xhafer Devën më lart se Adem Jasharin dhe gjendet Ministria e Kulturës së Kosovës, e cila ndan mjetë për restaurimin e Kullës së Xhafer Devës!
…Pra kjo Ministria e Kulturës e cila tash e sa vjet nuk ka investuar as edhe një cent në Teatrin Kombëtar (i ndërtuar gati 50 vjet më parë) në ndërkohë që tash e 15 vjet e ka përuruar dhe e ka hapur një gropë të madhe të Fakulteti Teknik, si gurthemel i Sallës së Opërës e Baletit. Madje disa ish-ministra të Kulturës së LDK-së përveç se i kanë “shpenzuar” qindra e mijëra euro me ankande e tendere për gjoja projekte ideore të këtij objekti të munguar kulturor në Kosovë, kanë rrahur gjoks dhe kanë vrapuar që këtij objekti t’ia vëne dhe emrin “Salla e Operës e Balletit – Ibrahim Rugova!’
Paret janë tretur dikund, përurimi ka ndodhë madje me prerje të shiritit edhe nga ish-presidenti Fatmir Sejdiu, por “themelet” e Operës e Baletit ende janë në një gropë të madhe e cila verës mbushet me bërllog, vjeshtës me ujë e dimrit me shtresë akulli!
Pra për Ministrinë e Kulturës, proritet është shtëpia apo Kulla e Xhafer Devës por jo edhe një sallë koncertale për Operë dhe Balet, për të rinjtë e të rejat sot e nesër, për një objekt të munguar në Kosovë dhe për një objekt të përafërt që gjendet në pothuaja të gjitha qendrat e kryeqendrat evropiane e botërore.
Ne duam mure të thata të Kullës së Xhafer Devës se kështu e do “kënga dhe euforia me qiftelia” e jo Opera e Balete ku “gërvallen” emrat e njohur të operës e baletit botëror!
Bile, bile ka edhe më shumë!
Po pse duhet të sillen eshtrat e Xhafer Devës nga parajsa e Amerikës në Mitrovicën e ndarë në dy pjesë?!
Ose pse duhet të bëhen investime në Kullën e Xhafer Devës kur mbi 90% e nxënësve shqiptarë në Kosovë, përfshirë edhe djalin tim 19 vjeçar Fatjonin, e mbi 99% të nxënësve shqiptarë në Shqipëri, përfshirë edhe fëmijet e Nexhit në Tiranë, nuk dijnë asgjë për Xhafer Devën? Bile po u bë një anketë anonime me këta nxënës, shumica prej tyre do të përgjigjen apo do të pyesin se ku luan ky Deva: të Reali apo te Barcelona?
Suma Sumarrum: Po të ringjallej Xhafer Deva e po të kthehej me aeroplan prej Amerikës në Kosovë, dhe po ta shihte Mitrovicën e ndarë në dy pjesë, në Veriun serb dhe në Jugun shqiptar, as që do të takohej fare me ministrin e Kulturës dhe as që do t’ia zgjaste dorën Nexhmedin Spahiut!
Aq shumë ka halle e derte poppulli i gjallë shqiptar i Kosovës, sa që ikonogria folklorike e patriotike me eshtra e me Kulla duket sa absurde aq edhe qesharake.
Historia, sa do e lavdishme që është, nuk shkruhet me zor, nuk ruhet me zor, nuk imponohet me zor.
Prandaj, mos bëni folklor e politikë të ditës me eshtra të heronjëve! Ata janë të mëdhenj në piadestalin e historisë tonë, kudo që prehen eshtrat e tyre, në Boletin, në oborrin e vogël të Kullës së tij, apo në varrezat moderne të Palo Alto, të Kalifornisë në Amerikë!
Populli shqiptar i Kosovës, e në veçanti rinia e Kosovës do mirëqenie, do perspektivë, do punë, do jetë të dinjitetshme, do shtet funksional, do paqe me vetëveten dhe të ardhmen për vetën dhe familjet e tyre!
Isa Boletini ka qenë dhe mbetet i madh edhe pa eshtrat në Boletin!
Xhafer Deva ka vendin e vet në historinë tonë pa u kthy fare në Kullën e tij nga vendi lirisë e demokracisë – Amerika!
A ka edhe ndonjë patriot që prehet larg vendlindjes, larg Kosovës?
Tregoni e vraponi sa më shpejt që t’i merrni meritat e “kthimit të eshtrave në vendlindje” të Filan Fistekut, patriotit, veprimtarit, kolaboracionistit Filan Fisteku!
Ne i duam eshtrat e të vdekurve se sa për të gjallët, i kemi qit punët “n’terezi!”
P.S. Hajt komentoni por mos shani!