Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë arritje e madhe për kombin shqiptar.
Duke komentuar përvjetorin e 14-të të pavarësisë, Kuçi ka thënë se rezistenca e shqiptarëve gjatë viteve nën regjimin komunist dhe nisja e luftës për çlirim kanë qenë ngjarjet më të mëdha për kombin deri në shpalljen e pavarësisë së Ksoovës, të cilën ai e konsideron si ngjarjen më të madhe për shqitparët në 100 vitet e fundit.
“Ngjarja më e madhe në 100 vitet e fundit për shqiptarët. Organizimi më i madh politik nëse mund të themi njëjtë me kohën e Skenderbeut. Ka qen organizimi më i madh politiko-ushtarak dhe ka në qenë heronjtë e Kosovës që kanë dhënë kontribut, liderët politikë të UÇK-së, Thaci, Selimi, Veseli e të tjerët. Ka qenë edhe zotëri Rugova në këtë 20 vjecar. Kemi pasur administrimin e NMIK-ut. Shpalljen e pavarësisë dhe në këtë kohë kemi bërë konsolidimin e Kosovës. Kemi bërë bartjen e kompetencave. Formimin e Ushtrisë. Kemi krijuar e forcuar institucione. Deri në vitin 2012 kemi pasur pavarësi të mbikëqyrur”, ka thënë ai në emisionin Pressing në T7.
Ai tutje thotë se përkundër akuzave politike, shpallja e pavarësisë së Kosovës vetëm e ka forcuar kombin shqiptar dhe se edhe Shqipëria është më e fortë si pasojë e këtij zhvillimi.
“Gjithë popujt pas pavarësisë presin ndryshime të mëdha. Populli shqiptar i Kosovës 87 vite ka pritur lirinë. Me 99-ën erdhi. Kemi vuajtjet më të mëdha në Europë. Fuqia rinore dhe pikat e referencës me perëndimin, normalisht kanë pritur më shumë. Ishte krijuar edhe një ambient ku akterët nuk mund të akuzonin kundërshtarin politik pa krijuar mohim të cdo gjëje. Që është bërë edhe pjesë e asaj politike. Me kalimin e kohës rritet vlera e lirisë dhe pavarësisë. Pavarësia ishte vulë. Dhe kuptohet më shumë nga ta që merren me shtetndërtim. Dhe besoj që pavarësia e Kosovës nuk e ka dëmtuar kombin shqiptar, por e ka forcuar. Edhe Shqipëria është më e fortë sec ka qenë më herët”, shtoi ai.