Përmes një komunikate për media, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla ka njoftuar se nuk kanë marrë pjesë në hartimin e draftligjit të Pagave dhe që nuk janë në dijeni për vlerën e koeficientit.
Ai ka bërë apel tek Qeveria Kurti që sa më parë të publikojnë draftligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit me qëllim të shmangies së keqkuptimeve të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces.
Ai gjithashtu tha se është momenti i fundit për të reflektuar.
“Është momenti i fundit që të reflektoni në mënyrë të sinqertë dhe transparente, përndryshe trazirat sociale janë të pashmangshme”, është thirrja e fundit e tij për Qeverinë.
Komunikata e plotë:
Të nderuar punëtorë shëndetësorë, meqë këto ditë po qarkullojnë draftet e ndryshme dhe reagime të ndryshme për Ligjin e Pagave, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës ju njofton se ne:
Nuk kemi marr pjesë në hartimin e draftit të Ligjit të Pagave dhe
Nuk jemi në dijeni për vlerën e koeficientit
Andaj çdo reagim nga grupet e caktuara mund të shkaktojë amulli dhe dëmtim të procesit për Ligjin e Pagave.
Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës i bën apel Qeverisë së Republikës së Kosovës që sa më parë të publikojë draft-Ligjin e Pagave dhe vlerën e koeficientit me qëllim të shmangies së keqkuptimeve të cilat mund ta dëmtojnë këtë proces.
FSSHK i siguron të gjithë punëtorët shëndetësor se në asnjë moment nuk do të pranojnë asnjë draft e asnjë koeficient që mund të shkoj në dëm të punëtorëve shëndetësor.
Në fund thirrje publike Qeverisë së Republikës së Kosovës,
Është momenti i fundit që të reflektoni në mënyrë të sinqertë dhe transparente, përndryshe,trazirat sociale janë të pashmangshme.