Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se trupat amerikane do të arrijnë nga Gjermania në këtë vend të mërkurën në mbrëmje dhe do ta mbrojnë pjesën lindore të vendeve të NATO-s nga përhapja e mundshme e krizës së Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë rreth 3.000 trupa shtesë në Poloni dhe Rumani për ta fuqizuar aftësinë mbrojtëse të Evropës Lindore. Në Rumani, Shtëpia e Bardhë do të vendosë një skuadron “Stryker” nga Vilseck-u i Gjermanisë, shkruan Reuters.
Ministria rumune tha se një pjesë e skuadronit amerikan do të hyjë në Rumani rreth orës 20 të mërkurën dhe do të lëvizë nëpër Rumani me automjete deri në bazën ushtarake “Mihail Kogalniceanu”, që ndodhet në distriktin lindor, Constanta.
Forcat amerikane kanë qenë duke e shfrytëzuar këtë bazë ajrore në Detin e Zi që nga viti 1999. Rumania, anëtare e NATO-s që nga viti 2004, gjithashtu mban një sistem të mbrojtjes nga raketat balistike.
Skuadroni “Stryker”, i përgatitur për t’u angazhuar me urdhër të shpejtë, do t’u shtohet 900 ushtarëve të tjerë që Shtetet e Bashkuara i kanë në Rumani, disa si pjesë e NATO-s e disa sipas marrëveshjeve dypalëshe.
Franca gjithashtu ka bërë ofertë që të jetë udhëheqëse e misionit të NATO-s në Rumani në të ardhmen. Ky mision mund të ketë rreth 1.000 trupa nga vende të ndryshme, ndërsa një vendim mund të merret në takimin e ardhshëm të ministrave të mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që mbahet në mesin e shkurtit.