Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka thënë se të dhënat e prezantuara nga deputeti i LVV-së, Armend Muja lidhur me shpenzimin e energjisë elektrike janë të pasakta.
Bajrami në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ku po diskutohet për shtrenjtimin e rrymës kujtoi një deklaratë të kryesuesit të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, Ymer Fejzullahu mbrëmë në Pressing të T7, se 40% e energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet nga sektori privat, bizneset, e jo siç tha Muja,
“Z. Muja i the dy të pavërteta në fjalimin tënd. Kështu mund t’i quaj më së buti. E para, ju thatë që 22% e amvisërive shpenzojnë 60% të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo është tepër pasaktë”, tha Bajrami.
“Mbrëmë në debatin Pressing në televizionin T7, kryesuesi i bordit të ZRRE-së është lidhë në debat – mund ta gjeni videon, mund ta kontaktoni – kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha se 40% e energjisë elektrike në Kosovë shpenzohet nga sektori privat, nga bizneset. Nëse 40% shpenzohet nga sektori privat dhe 60% po shpenzojkan prej 22% të amvisërive, atëherë ku mbeten 78% të amvisërive?”, theksoi deputetja e LDK-së.
Bajrami tha se nëse të dhënat e Mujës nuk janë të njëjta me ato të kryesuesit të bordit të ZRRE-së, “pres votën tuaj pro për shkarkim të bordit të ZRRE-së”
Muja, në replikë tha se e ka pasur fjalën për shpenzimet e sektorit të amvisërisë. Në këtë sektor, sipas tij, 22% e qytetarëve shpenzojnë 60% të energjisë elektrike.
“Të thuhet i saktë, i pasaktë, është sikur të nisesh nga e vërteta absolute gjë që nuk është. Unë e thashë që në kuadër të shpenzimit total vjetor 3000 gigavatë të amvisërive të Kosovës, janë 89 mijë amvisëri që i shpenzojmë mbi 1000 megavatë dhe janë shpenzuesit kryesorë të energjisë në kuadër të amvisërive, jo totalit”, tha ai.