Afro 50 mijë kosovarë nuk duan të jetojnë më në Kosovë. Kjo është shifra e atyre që kanë aplikuar për termin për vizë pune në Ambasadën e Gjermanisë në Prishtinë. Ata janë regjistruar me shpresën se do të përzgjidhen për një prej rreth 460 terminëve që ka në dispozicion kjo ambasadë për këtë muaj.
Por shifra e atyre që nuk duan të jetojnë në Kosovë mund të jetë edhe më e lartë. Kjo pasi ka edhe shumë të tjerë që synojnë të largohen edhe me anë të llojeve të tjera të vizave e përmes ambasadave të vendeve të tjera.
Kujtojmë se në dhjetor janë regjistruar për një termin pak më pak se 57.000 persona, ndërsa në janar saktë 48.962 qytetarë të Kosovës, sipas burimeve të Ambasadës gjermane në Prishtinë.
Sipas Rregullore për Ballkanin Perëndimor, për Kosovën ndahen në vit rreth 5000 viza pune për punonjës të pakualifikuar, ndërsa në muaj jepen rreth 460 viza pune. Regjistrimin mund ta bëni vetë dhe nuk duhet të bëni gabime. Terminet caktohen me short në Ministrinë e Jashtme në Gjermani./Botapress.info/