Kreu i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj është arrestuar para pak minutash afër zyrave të T7 ku pritet të transmetohet drejtpërdrejtë emisioni Pressing. Ndërsa aksionin e ka ndjekur në Facebook edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, shkruan Gazeta Botapress.info
Molliqaj ishte i ftuar në Pressing për të diskutuar lidhur me protestën e fundit kundër shtrenjtimin të energjisë dhe për arrestimin e aktivistit të PSD-së sot. Ai është arrestuar atje nga Policia e Kosovës.
Këtë aksion të Policisë së Kosovës në Facebook live e ka ndjekur edhe ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Policia e Kosovës ishte duke e kërkuar Molliqajn që nga dita kur u mbajt protesta e PSD’së kundër shtrenjtimit të rrymës elektrike, vendim ky që pritet të merret së shpejti pasi ZRRE-ja i ka bërë rekomandim qeverisë.
Në protestën që pati mijëra qytetarë nuk pati incidente, megjithatë më vonë doli një video ku shihej Dardan Molliqaj teksa godet me shuplakë një zyrtar policor.
Kujtojmë që sot, Policia ka arrestuar aktivistin e PSD-së, Adem Megjuani, për arsyen e njëjtë, sulm ndaj një zyrtari policor, gjatë asaj proteste.
Megjuani është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërkohë që PSD kërkon lirimin e menjëhershëm të tij. /Botapress.info/