Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ka njoftuar se të gjithë rrugët në Kosovë janë të qarkullueshme për të gjitha llojet e automjeteve.
Nga Ministria e Infrastrukturës është thënë se sipas informatave nga tereni të cilat i posedojnë rrugët nacionale dhe ato regjionale, duke përfshirë këtu edhe autostradat janë të qarkullueshme për automjetet.
“Sipas informatave nga tereni nga menaxherët e mirëmbajtjes së rrugëve, të gjitha rrugët Nacionale dhe Regjionale, si dhe Autoudhët janë të qarkullueshme për automjete”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.
Sipas Ministrisë, kompanitë e kontraktuara nga MMPHI-ja gjatë tërë kohës po punojnë në pastrimin e borës si dhe po intervenojnë me shpërndarje të kripës për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve.
Gjithashtu, MMPHI tregon se kujdes të veçantë po i kushtohet rrugëve që shtrihen në lartësi të mëdha mbidetare pasi aty paraqiten ngrica herë pas herë.“Kërkojmë nga ana e vozitësve kujdes më të shtuar dhe respektim të rregullave të vozitjes gjatë kësaj kohe”, thuhet tutje në njoftim.
Ndryshe që nga orët e para të mëngjesit pati një numër të madh të aksidenteve si pasojë e gjendjes së rrugëve.