Partia opozitare jashtë parlamentit PSD-ja, ka organizuar protestë për nesër në sheshin kryesor të Prishtinës kundër shtrenjtimit të rrymës. E, partitë opozitare brenda parlamentit, PDK-ja, LDK-ja e AAK-ja nuk do të marrin pjesë në protestë por kanë deklaruar se e mbështesin atë, raporton Gazeta Express.
Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj sot në një konferencë për media i ka ftuar edhe njëherë partitë opozitare t’i bashkohen protestës së nesërme.
“E kemi takuar kryetarin e LDK-së, Abdixhiku, e kam takuar nënkryetaren e PDK-së, Vlora Çitaku dhe kam komunikuar me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, ky i fundit ka deklaruar se do ta mbështesë protestën ndërsa LDK ka thënë se pajtohet me kërkesat tona sa i përket propozimit të ZRRE-së, njëjtë ka deklaruar edhe PDK. Siç e dijmë nga qëndrimet publike PDK ka shprehur një qëndrim që vet nuk do të jetë pjesë por që ka arsye të protestohet. Ne prapë ju bëjmë ftesë besojmë që përtej çfarëdo qëndrimi ose historiku politik të secilit prej subjekteve opozitare meqenëse një vendim është shumë skandaloz dhe i rëndë për barrën e secilit qytetar që duhet të paguajë atëherë ne besojmë që ende nuk është vonë që secili prej tyre, anëtar, aktivist e drejtues të këtyre subjekteve politike nesër të jemi bashkë kur fillon protesta në orën 14:00”, ka thënë Molliqaj para gazetarëve.
Molliqaj ka paralajmëruar se nuk do të ndalen derisa ky vendim të mos jetë në fuqi.
“Ne nuk do të ndalemi, jo vetëm të shtunën, sepse përtej kësaj që ky vendim të mos jetë në fuqi sepse aq sa është skandaloz është edhe i padrejtë”, tha ai.
Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike u organizua edhe para dy ditësh në të cilën morën pjesë qindra qytetarë. Ata u nisën nga sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfunduan para qeverisë me kërkesat për mos shtrenjtim të rrymës.