Kazakistani që disa ditë është përfshirë nga protestat e dhunshme, të cilat më pas u bënë edhe të përgjakshme. Disa protestues e pjesëtarë të forcave të sigurisë raportohet të jenë vrarë deri më tani, ndërsa Rusia dhe vendet tjera fqinje kanë dërguar trupa me kërkesë të presidentit kazak për ta qetësuar situatën. Protestat fillimisht nisën kundër rritjes së çmimit të karburanteve, por duket se tash po shfrytëzohen edhe për ta shfaqur pakënaqësinë më të gjerë politike.
Mediet e huaja kanë publikuar pamje shqetësuese të përleshjeve mes protestuesve dhe forcave të rendit në shtetin e pasur me naftë. Në një raport të publikuar të mërkurën nga Radio Evropa e Lirë, disa protestues shihen duke ndjekur dhe rrahur me shkopinj gome një pjesëtar të forcave të sigurisë, ndërsa në një video tjetër, të publikuar nga një gazetar i gazetës britanike, “The Guardian”, një veturë shihet duke sulmuar një turmë policësh.
Ministria e Shëndetësisë tha të enjten se më shumë se 1.000 persona janë lënduar dhe 400 janë hospitalizuar gjatë tri ditëve të protestave. Në njoftim thuhet se 62 persona janë në repartet e kujdesit intensiv, shkruan Free Europe, përcjell Gazeta Express.
Çfarë shteti është Kazakistani dhe pse ka peshë?
Kazakistani kufizohet me Rusinë në veri e me Kinën në lindje. Është shtet me sipërfaqe të madhe, përafërsisht sa të Evropës Perëndimore. Ish-republikë sovjetike me shumicë myslimane, Kazakistani ka pakicë të madhe ruse dhe është i pasur me burime minerale. Në të ndodhen 3 për qind të rezervave botërore të karburanteve. Është i pasur edhe me thëngjill e gaz.
Agjencia Reuters raportoi se çmimet e naftës në bursa janë rritur pas trazirave në Kazakistan. Në lajmin e përkthyer nga Gazeta Express thuhet se çmimi i naftës së papërpunuar në bursën Brent u rrit për 1.19 dollar ose 1.5 për qind dhe shkoi në 81.99 dollarë për fuçi, ndërsa çmimi në bursën ËTI u rrit për 1.61 dollar ose 2.1 për qind dhe shkoi në 79.46 dollarë për fuçi.
Shteti i madh aziatik shpesh përshkruhet si vend me sistem politik autoritar dhe shumica e zgjedhjeve fitohen nga partia në pushtet me shumicë dërrmuese të votave. Atje nuk ka opozitë politike efektive. Protestat në Kazakistan janë të rralla.
Ushtarëve kazakë u thuhet që të qëllojnë pa paralajmërim
Udhëheqësi autoritar i Kazakistanit thotë se i ka udhëzuar forcat e sigurisë që të qëllojnë pa paralajmërim në kohën e shtypjes së dhunshme të protestave anti-qeveritare.
Presidenti Kassym-Jomart Tokayev gjithashtu tha se “20.000 banditë” e kanë sulmuar qytetin Almaty, që ka qenë epiqendër e protestave të nxitura nga rritja e çmimit të karburanteve.
Sipas Ministrisë së Brendshme të Kazakistanit, 26 “kriminelë të armatosur” dhe 18 pjesëtarë të forcave të sigurisë janë vrarë deri më tani në trazira, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.
Në një fjalim të transmetuar në televizion, Tokayev i kundërshtoi thirrjet për bisedime me protestuesit, duke thënë: “Çfarë bisedimesh mund të zhvillojmë me kriminelë e vrasës? Duhet të merremi me banditë të armatosur e të përgatitur mirë, vendës e të huaj, më saktësisht, me terroristë. Prandaj, duhet t’i shkatërrojmë, kjo do të bëhet së shpejti”, tha ai.
Masat e autoriteteve për t’i qetësuar protestuesit
Si lëshim, qeveria të enjten njoftoi për vendosjen e një kufiri 180-ditor ndaj çmimit të karburanteve për automjete dhe një moratorium kundër rritjes së faturave. Presidenti gjithashtu e ka pranuar dorëheqjen e kabinetit qeveritar, por gjithashtu është zotuar se do ta shtypë kryengritjen, për të cilën i ka fajësuar ata që i ka quajtur “banditë terroristë”.
Presidenti i Kazakistanit ka kërkuar ndihmë nga aleanca rajonale ushtarake, CSTO, në të cilën bëjnë pjesë ish-republikat sovjetike. Kjo organizatë, ku bën pjesë edhe Rusia, ka filluar të dërgojë trupa në Kazakistan në një mision paqeruajtës. Zyrtarët kazakë kanë këmbëngulur se trupat nuk do të luftojnë kundër protestuesve por do të shërbejnë për t’i ruajtur institucionet qeveritare.
Shenja të qetësimit
Të premten, presidenti kazak deklaroi se rendi kushtetues kryesisht është kthyer në të gjitha rajonet e vendit dhe se autoritetet lokale e kanë nën kontroll situatën. Megjithatë, përleshje u raportuan në qytetin Almaty edhe të premten në mëngjes.
Sidoqoftë, aeroporti i këtij qyteti, që ishte sulmuar më herët nga protestuesit, është kthyer nën kontrollin e forcave të sundimit të ligjit dhe paqeruajtësve të CSTO-së, tha të premten zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, Igor Konashenkov.
Në pjesë të tjera të vendit gjithashtu ka shenja të përmirësimit të gjendjes. Në kryeqytetin Nur-Sultan, qasja në internet është kthyer pjesërisht, ndërsa qarkullimi i trenave ka rinisur në mbarë vendin.
Kanali televiziv “Khabar 24” raportoi se aeroporti në kryeqytet është duke operuar si zakonisht. Sipas këtij kanali, kompanitë ajrore do t’i rinisin fluturimet brenda vendit drejt qyteteve Shymkent, Turkestan dhe Atyrau si dhe fluturimet ndërkombëtare për në Moskë e Dubai nga ora 15:00 sipas kohës lokale.