Dallimi i kohës amerikane nga ajo evropiane prej 6 orësh, më jep arsye gjithmonë që festat e vitit dhe ato nacionale, miqve të mi në Kosovë apo Evropë tua uroj sipas kohës evropiane.
Kështu veprova edhe më 31 dhjetor të vitit që lamë pas.
Këtu në New York ende nuk kishte rënë gongu i ndryshimit të vitit por në Koosovë tashmë festohej Viti i Ri.
Në mesin e familjarëve dhe miqve të mi, një urim për Vitin e Ri 2022 ia nisa përmes Viber -it edhe Hysni Sylës.
Pas vetëm pak minutash mora një përgjigje që më preku shpirtënisht.
“Shumë flm mik i nderuar, edhe ty e familjes urime, shëndet të mirë dhe mbarësi në vitin 2022.
Për mua nuk filloi mirë, Djali u lëndua duke tentuar ta ndez një petarde. Mori lëndime serioze, por për fat duket se syri i ka shpëtuar. Tani ndodhem në spital në Prishtinë, në klinikën maksofaciale, po ia qepon buzën…”
U mundova t’i jap pak forcë morale dhe urova që të jetë e kaluar dhe e harruar kjo fatkeqësi e djalit, por nuk e zgjata shumë sepse as unë nuk ndjehesha mirë e aq më pak ai.
Të nesërmen prapë i shkrova. Mu lajmërua me vonesë dhe si gjithmonë me gjentilesë më kërkoi falje për përgjigjen e vonuar. Më njoftoi se djali ka fjetur mirë, ka marrë një injeksion dhe se gjasat janë që do të ketë përmisime dhe se çdo gjë do të jetë në rregulll…
Kjo është bieseda ime e fundit me Hysn Sylën.
Sot në mengjesin e 5 janarit u tmerrova kur mora vesh se kjo do të ishte biseda jonë e fundit në këtë botë me Hysin…me Hysin koleg në gazetën Bota sot, me Hysin bashkëpunëtor të rregullt të Botapress-it, me Hysin zëdhënës disavjeçar të komunës së Mitrovicës, me Hysin aktvistin dhe zëdhënësin e fundit të Degës së LDK-së në Mitrovicë…
Me Hysin, mikun tim më të mirë në Mitrovicë! Me Hysin me të cilin jam takuar dhe dhjetëra e dhjetëra herë në Prishtinë e në Mitrovicë.
Sa herë vinte në Prishtinë, më lajmërohej përmes telefonit dhe më pyeste se mund të pijmë nga një kafe veç nëse nuk jam i nxënë. Dhe si gjithnjë më thoshte:
“Jam me Halitin…(Beranin).
Nuk dua të besoj se kjo do të jetë biseda ime e fundit me Hysin i cili më ka njohur me miq të tij që janë bërë edhe miq të mi: Me Halit Beranin, më Fazli Hajrizin, me Nexhmedin Spahiun e shumë e shumë emra të njohur të jetës publike, politike e kulturore në Mitrovicë.
Po më dhemb në shpirt e vërteta se me Hysin KURRë Më në këtë jetë nuk do të organizojmë takime e tryeza në Mitrovicë në promovim të ndonjë vepre apo në përvjetor të ndonjë veprimtari, siç ishte hera e fundit në përvjetorin e Hali Beranit, në të cilin promovim nuk mora pjesë por me kërkesën e Hysit, i dërgova nja dy fjalë përshëndetëse.
Po më shpon shpirtin si shigjetë e helmuar vdekja e hershme dhe e dhimbshme e Hysit.
Po e marr me mend pse i ka ndodhur ky aksident tragjik Hysit. Ai me siguri ka qenë i ngarkuar me ngjarjen që i kishte ndodhë djalit të tij më 31 dhjetor…Ai me mend ka qenë në spital te djali por me trup në vendin tragjik të aksidentit….
Sa vdekje e pamëshirshme, sa vdekje e rëndë, sa vdekje e trishtuar!
Nuk mund të shkruaj më asnjë fjalë për Hysin, sepse kam 20 vjet njohje, 20 vjet miqësi, 20 vjet takime, biseda e kujtime sa që nuk më mjaftojnë as edhe 20 orë…
Një ditë do të kthehem te Hysi. Do ta takoj Hysin. Do t’ia “shoh për të madhe” pse nuk më ka pritur për kafe me Halitin në Mirovicë, por do t’i them me mallëngjim:
U prehsh në parajasë miku im Hysni Syla!
Me Hysni Sylën e Mark Krasniqin (tash që të dy të ndjerë) gjatë një bashkëbisedimi në Mitrovicë disa vjet më parë