Qeveria e Kosovës ditë më parë ka bërë thirrje për qytetarët që të kursejnë energjinë elektrike sa më shumë që është e mundur, për shkak krizës energjetike me të cilën po përballet vendi.
Tashmë në Kosovë kanë nisur edhe reduktimet e energjisë elektrike me të cilën qytetarët po përballen çdo ditë, shkruan lajmi.net.
E më të dëmtuarit financiarisht në këtë aspekt si duket kanë mbetur bizneset, të cilat nuk kanë mundësi të funksionojnë pa energji elektrike, ose janë të detyruara të shfrytëzojnë alternativa të tjera për sigurimin e rrymës.
Lajmi.net ka raportuar për 13 netë radhazi se edhe pas thirrjeve nga krerët e shtetit për kursimin e rrymës, një gjë e tillë duket se nuk është bërë nga vetë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të cilët edhe pas mesnatës kanë lënë dritat ndezur në objektin e Qeverisë së Kosovës.
E për këtë çështje, sot ka reaguar Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili ka thënë se dritat në objektin e Qeverisë së Kosovës mbesin ndezur pasi që ka zyrtarë që punojnë edhe pas orarit të punës.
“Një pjesë e stafit të Thesarit është duke punuar me orar shtesë për t’u siguruar se shtesat për fëmijë, pagesat për lehonat, pagesat për familjet me ndihmë sociale, pagesat e subvencioneve për bujqësinë, e shumë pagesa të tjera për qytetarët të kryhen para Vitit të Ri”, ka shkruar Murati në Facebook.
Pas Muratit ka reaguar edhe ministrja e MASHT-it, Arbërie Nagavci.
Përmes një postimi në Facebook, Nagavci ka thënë se edhe zyrtarët e MASHT-it po punojnë edhe sot.
“Para Vitit të Ri do të realizohen pagesat për vajzat dhe gratë përfituese të bursave STEM, ashtu si dhe pagesat për mësimdhënësit, koordinatorët dhe redaktorët-lektorët që kanë qenë të angazhuar në procesin e projektit e-Mësimi, e të cilëve qeveria e kaluar nuk u kishte kryer obligimet për punët e realizuara sipas marrëveshjes”, ka shkruar ndër të tjerash Nagavci, transmeton lajmi.net.
Nagavci ka deklaruar se me mbështetjen shtesë nga Qeveria e Kosovës me mbi katër milionë euro do të kryhen edhe pagesat për librat shkollor.
“Kursejmë energjinë elektrike e vazhdojmë me punë”, ka përfunduar Nagavci. /Botapress.info/