Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Bernard Nikaj ka kërkuar sot nga Qeveria e Kosovës që të marrë hapa urgjent në lidhje me krizën energjetike, shkruan Gazeta Botapress.info.
Në një konferencë për media, Nikaj ka kërkuar të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e qeverisë për të intervenuar në treg.
Nikaj ka thënë se assesi nuk duhet të lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetarët, të cilët të goditur nga pasojat e pandemisë do ta rëndoheshin edhe me shumë.
“Të shpallet gjendje emergjente në furnizim sipas ligjit për energji, e cila më pas do të rriste kompetencat e qeverisë për të intervenuar në treg. Të mos lejohet rritja e çmimit të energjisë për qytetaret, të cilët të goditur nga pasojat e pandemisë do ta rendoheshin edhe me shumë”, ka thënë Nikaj.
Ai ka folur edhe për deklarimet nga Qeveria e Kosovës javët e kaluara se Kosovë nuk është e prekur nga kriza energjetike.
“Duke e ditur profilin tonë të konsumit si dhe kapacitet e limituara të gjenerimit sidomos për periudhën e vjeshtës dhe dimrit për të mbuluar kërkesën për konsum, deklarimet e kësaj qeverie vetëm pak javë më parë ishin se Kosova nuk është prekur dhe na e mbulojmë shumicën e konsumit vendor, pra një neglizhim dhe amatorizëm total për arsye të mos dijes por edhe kalkulimeve politike. Mospranimi i krizës ka qenë kalkulim politik i lidhur me zgjedhjet lokale. Sot pasojat po i vuan e gjithë Kosova”, ka thënë më tutje ai.
Nikaj ka deklaruar se janë duke munguar veprimet konkrete nga Qeveria dhe se rritja e çmimit të energjisë do të ketë ndikim në ekonomitë familjare.
“Po mungojnë veprime konkrete e të guximshme nga Qeveria. Mbi të gjitha këto veprime të qeverise po bëhen ne kurriz të qytetarëve dhe bizneseve. Rritja e çmimit të energjisë, në një kohë të rritjes së përgjithshme të çmimeve, pa ofruar alternativa për ngrohje do të ketë ndikim katasftrofal në ekonomitë familjare të qytetarëve tanë. Sot ngrohja nuk është luks, nuk është komoditet vetëm për zyrën e kryeministrit dhe ministrave. Është nevojë dhe e drejtë elementare për secilin qytetar”, ka thënë ai.