Deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa ka thënë se programi qeverisës për vitin 2021-2025 është i zbrazët në aspektin ekonomik. Ai tha se në të ka vetëm premtime boshe pa caktim të masave dhe objektivave konkrete në këtë sektor.
“Në aspektin ekonomik ky program është i zbrazët dhe me premtime boshe pa caktim të masave dhe objektivave konkrete dhe i pa buxhetuar. E konsiderojmë absurde që programi i qeverisë premton zhvillim ekonomik pa thënë asnjë fjalë se sa do të jetë rritja ekonomike, sa persona do të mbesin pa punë, sa do të jetë buxheti pas katër vitesh, sa do të jetë deficiti tregtar, sa do të jenë investimet e huaja, sa do të rritet prodhimi vendor, si do të rritet eksporti”
Më tutje ai tha se në programi qeverisës për sektorin e ekonomisë nuk është paraparë as programi për rimëkëmbje.
Mustafa deklaroi se qeveria në këtë program nuk ka thënë asnjë fjalë as për buxhetin dhe për një plan afatgjatë për rimëkëmbje.
“Për tu bërë hapja dhe rimëkëmbja e sektorit privat edhe vaksinimi duhet që të bëhet shpejtë. Por qeveria përkundër premtimeve për ndryshime të mëdha, nuk ka program për rimëkëmbje, nuk ka masa, nuk ka buxhet. Nuk ka asnjë fjalë të vetme për buxhetin të cilin e planifikon qeveria drejt rimëkëmbjes ekonomik dhe zhvillimit në plan afatgjatë. Nuk parashihet asnjë projekt kapital për katër vitet e ardhshme përveç aty që do të vazhdojnë”, ka thënë më tutje Mustafa. /Botapress/