Zëdhënësja politike e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sibel Halimi, ka thënë se Qeveria Kurti po tenton të shfajësohet për krizën dhe problemet në vend, duke përdorur qeveritë e kaluara.
Halimi theksoi se Qeveria Kurti në çdo çështje ka pasiguri dhe ekspertizë të dobët dhe se nuk ka alternativë për të dalë nga problemet që mund të shfaqen.
“Secili pushtet përfaqëson ndër të tjera edhe një sistem të caktuar vleror që synon t`i arrijë përgjatë qeverisjes. Kjo, mbase mund të jetë edhe fryma qendrore e ndërtimit të relacionit në mes të pushtetit e shoqërisë. Gjuha e përfaqësuesve të kësaj qeverie në çdo paraqitje të tyre është e mbështetur kryesisht mbi bazën e përshtypjeve e konstatimeve të ngjarjeve dhe problemeve. Referencat e së kaluarës për të fuqizuar argumentet e tyre në trajtimin e çdo çështje tregon për një pasiguri e ekspertizë të dobët të ofrimit të alternativave për të zgjidhur cilindo problem të dalë në skenë.”, ka thënë ajo, transmeton Periskopi.
Më tej, ajo ka thënë Qeveria Kurti është dashur që në ditën e parë pas marrjes së detyrës t’i ndalë konstatimet me urrejtje.
“Sigurisht, konstatimet plot mllef do të duhet të përfundonin që në ditën e parë të marrjes së udhëheqjes së vendit. Mbase, duke analizuar rolin e rëndësishëm të pushtetit politik me të drejtë filozofi Jean Jacques Rousseau potenconte se “forcën e tyre ta kthejnë në të drejtë dhe bindjen ndaj tyre në detyrë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, Qeveria e udhëhequr nga kryeministri, Albin Kurti, për krizën me energji dhe probleme të tjera, po tenton të shfajësohet duke sulmuar qeveritë e kaluara.