Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të jashtëligjshëm konkursin e Drejtorisë së Arsimit për përzgjedhjen e drejtorëve të rinj në shkollat e kryeqytetit.
Me këtë vendim është njoftuar edhe drejtoria e Arsimit në Komunën e Prishtinës por që ende nuk e kanë bërë publik aktvendimin.
Ndërkohë drejtoresha e Gjimnazit “Sami Frashëri” në kryeqytet, Fahrije Retkoceri, e zgjedhur me këtë konkurs nuk ka shkuar në shkollë ende pasi gjendet në pushim vjetor e më parë ishte në atë mjekësor, për shkak se sipas saj, mësimdhënësit e “Sami Frashërit” e bojkotuan mësimin në fillim të nëntorit e kësaj i shkaktuan probleme shëndetësore.
Arsimtarët e kësaj shkolle thanë për Klan Kosova se nuk do të pranojnë Fahrije Retkocerin si drejtoreshë për shkak se sipas tyre është zgjedhur jashtëligjshëm dhe ka një sjellje arrogante ndaj tyre, deklarata këto të cilat i mohoi Retkoceri./Botapress.info/