Jo të gjithë e kanë fatin të ngrohen si ministrja Artane Rizvanolli, me sistem të ngrohjes qendrore në banesë.
Janë shumë kosovarë që nxehen me rrymë gjatë dimrit. Shpenzimi i madh i energjisë elektrike po thuhet se shkakton krizë në furnizim. Për shkak të kësaj situate, ministria e Ekonomisë doli me rekomandime madhore e minore si të kursehet rryma. Nga përdorimi më i kufizuar i pajisjeve që harxhojnë shumë, te shkyçja e konsolave të video-lojërave.
Qytetarët thonë se mundohen të mos harxhojnë shumë rrymë.
Disa janë të një goje, e tjerët mendojnë ndryshe nga kryeministri Albin Kurti që tha se rryma është e lirë.Por, a janë kosovarët kursimtarë të energjisë?
Drejtori i Shërbimit për Konsumator në KEDS, Sabri Tërnava, thotë se një pjesë e konsiderueshme e konsumatorëve mundohen ta kursejnë energjinë elektrike.
Në KEDS thanë se po mundohen t’i mësojnë konsumatorët si ta lehtësojnë faturën e tyre.
KEDS i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ta shtrenjtojë çmimin për 7 përqind, menjëherë, teksa shpreson për një rritje tjetër prej 30 përqind, diku në prill.