“Familja është te shpija. Kur të bahet ministër, zëvendësministër, deputet apo drejtor apo edhe në komunë nesër pasnesër, duhet me u ba veç ai person, jo me shku me krejt fisin aty. Fisi është për dasmë, për gazmend privat. S’ka dasma nëpër ministria”, kishte thënë Albin Kurti gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit.
Por, rasti i Emrush Avdylit është në kundërshtim të plotë me qëndrimet e shprehura nga shefi i ekzekutivit.
Kushëriri i deputetit Haxhi Avdyli, i punësuar në muajin prill si pjesë e stafit të Ministrisë së Shëndetësisë, është një ish-muzikant.
Emrush Avdyli është një profesionist i instrumentit muzikor të daulles, bazuar në të dhënat publike të tij. Në rrjetin social Facebook, Avdyli ka publikuar fotografi të cilat e shfaqin atë duke luajtur instrumente muzikore.
Sipas të dhënave që figurojnë në llogarinë e tij personale në Facebook, djali i axhës së Haxhi Avdylit ka studiuar për menaxhment në Kolegjin Privat “Fama”. Por, atij i mungon diploma universitare, kanë thënë burime të Gazetës Insajderi.
Gazeta ka tentuar të marrë sqarime nga i punësuari në stafin e zv/ministrit Berisha, por ai ka qenë i paqasshëm në numrin e tij të telefonit.
Për emërimin e djalit të xhaxhait në qeveri, nuk ka dhënë asnjë koment as Haxhi Avdyli, deputeti i shumicës në Parlamentin e Kosovës, ndonëse gazeta ka insistuar të marrë një përgjigje nga ai lidhur me këtë çështje.
Më 26 prill, Emrush Avdyli ka publikuar një fotografi që konstaton punësimin e tij si kuadër në Ministrinë e Shëndetësisë. Fotografia shfaq Avdylin në shoqërinë e Arsim Berishës, zv/shefit të dikasterit qeveritar të shëndetësisë. /Insajderi.org