Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK’së), Faton Abdullahu, i ka quajtur hajna të flamurit Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), pasi që kjo parti e ka kthyer në logo të veten partiake flamurin kombëtar shqiptar, shkruan Gazeta Botapress.
Abdullahu ka shkruar në Facebook lidhur me këtë temë, duke marrë shkas prej ngjarjes së djeshme, ku asambleistët e VV’së në Prishtinë, u betuan para flamurit kombëtar.
Ai ka thënë se ka kohë që VV e ka kuptuar që flamurin kombëtar shqiptar e ka kthyer në logo të veten partiake.
“Por kjo nuk po e pengon aspak edhe përkundër faktit se ata e kanë kuptuar gjithashtu se grabitja e tillë po e dëmton shumë këtë flamur. Edhe ditëve të sotme ata e përdorin ekskluzivisht këtë flamur si logo partiake thua se është veç i tyre e jo flamur 500 vjet i lashtë që i takon gjithë shqiptarëve kudo ndodhen dhe pa dallime. Ndërmjet dëmeve të pandalshme që me këtë përdorim VV po i shkakton flamurit shqiptar dhe përfitimeve partiake duke u shtirë si mbrojtës të tij, VV ka zgjedhur ta përdorë veç për vete, në vend se ta ndihmojë përdorimin e tij prej të gjithëve”, ka shkruar Abdullahu.
Sipas zëdhënësit të PDK’së, nga VV mendojnë se ata po e mbrojnë këtë flamur, pasi ndryshe krejt Kosova do të mbeste pa flamurin kuq e zi.
“’Ne po e mbrojmë se pa ne do të mbetej krejt Kosova pa flamurin kuq e zi’, kështu mendojnë hajnat e flamurit. Si shumë gjëra të tjera kjo është bindje, por jo fakt, jo e vërtetë.
Kjo është ide korruptive dhe është hajni ideore, politike e kulturore. Kush e kupton këtë, neveritet prej këtij populizmi. Kush e kupton këtë, ju ka qu tugu prej asaj që dje bënë asambleistët e VV në Kryeqytet”, ka shkruar tutje Abdullahu.
Në fund Abdullahu ka thënë se brenda PDK’së por edhe partitë tjera, ka veprimtarë që për shumë kohë dhe pandalshëm, janë flijuar me dhe për flamurin kuq e zi.
“Ju s’mund t’ia vidhni flamurin se ai është i larë me gjak me gjenerata, për ta valuar sot të lirë. Askush nuk ka hequr dorë nga flamuri kuq e zi, përveçse në imagjinatçn e juaj korruptive”, ka shkruar ai.
Dje asamblistët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë vazhduar me avazin e vjetër duke u betuar me flamuj kombëtar në seancën inauguruese të Kuvendit Komunal në Prishtinë. Ata janë parë me flamujt kombëtar para tavolinave të tyre.
Ndërsa ka pasur edhe kritika nga shumë opinionistë e gazetarë në drejtim të VV’së, pasi që si po vijnë në pushtet kjo parti po e harron flamurin kuq e zi dhe betohet pranë atij të Kosovës, ndërsa në opozitë e kundërta. /Botapress.info/