Së paku 38 persona kanë vdekur dhe disa të tjerë janë lënduar nga një zjarr që përfshiu një burg në Burundi, shtet i vogël në juglindje të Afrikës.
Nënpresidenti i vendit, Prosper Bazombanza, u tha gazetarëve se zjarri kaploi një objekt të stërngarkuar në kryeqytetin Gitega dhe së paku 69 persona kanë pësuar lëndime.
“Është vërtet katastrofale. Do të thosha se gati 90 për qind e sallave të gjumit janë të djegura”, i tha një i burgosur BBC-së përmes telefonit, përcjell Gazeta Express.
Një i burgosur i tha përmes telefonit agjencisë AFP: “Filluam të bërtisnim se do të digjeshim për së gjalli, kur i pamë flakët duke shkuar shumë lart, por policia refuzoi t’i hapte dyert e hapësirave tona, duke thënë se “këta janë urdhrat që ne i kemi marrë”.
“Nuk di si ika, por ka të burgosur që janë djegur plotësisht”, shtoi ai. Dëshmitarët i thanë agjencisë AFP se zjarri tashmë është sjellë nën kontroll.
Me kapacitet për vetëm 400 të burgosur, burgu i Gitegas mbante 1.539 të tillë deri muajin e kaluar, sipas Shoqatës së Krishterë Kundër Torturës (ACAT-Burundi).
Sipas një postimi të Ministrisë së Brendshme të Burundit, një linjë e shkurtër e ka shkaktuar zjarrin në burg.
Në gusht, një zjarr tjetër kishte shpërthyer në të njëjtin burg. Autoritetet kishin thënë se shkaktare ishin problemet elektrike. Fatmirësisht, zjarri nuk kishte shkaktuar viktima.