Presidenti i Çekisë, Milosh Zeman, është dërguar në spital, pasi ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, ndonëse mediet lokale raportuan se ai nuk ka shfaqur simptoma. Ndërkohë qeveria i ashpërsoi masat pas shtimit të rasteve.
Autoritetet çeke të enjën i urdhëruan baret dhe klubet që të mbyllen në orën 22:00 dhe i ndaluan tregjet e Kërshëndellave në përpjekje për ta ulur një ndër shkallët më të larta të infeksionit në botë, shkruan Reuters.
Vetëm disa orë pas njoftimit për masat e reja kufizuese, Zyra e Presidentit tha se Presidenti Milosh Zeman është dërguar në spital, pasi ka dalë pozitiv në testin për Covid-19. Politikani 77-vjeçar sapo kishte dalë nga spitali pas një trajtimi 46-ditor.
Të martën, Çekia regjistroi rekord prej më shumë se 25.000 rastesh me Covid-19 për një ditë dhe një mesatare prej 1.516 rastesh për një milion banorë javën e kaluar. Kjo është shkalla e tretë më e lartë në botë e infeksioneve, pas Sllovakisë e Austrisë, sipas faqes “Our Ëorld in Data”.
Ministri çek i Shëndetësisë, Adam Vojtech, tha se ka gjasë që shifra ditore e rasteve dhe numri i pacientëve në spitale të rriten edhe më tej, por qeveria shpreson se masat e reja do ta parandalojnë nevojën për kufizime më të ashpra.
“Të presim dhjetë ditë dhe pastaj potencialisht mund t’i përshtatim masat”, tha ministri çek, pasi qeveria shpalli gjendje emergjente 30-ditore për t’i vendosur masat në fuqi.
Shumë spitale i kanë anuluar shërbimet jourgjente për të rezervuar kapacitet për pacientët me koronavirus dhe disa spitale, sidomos në juglindje të vendit, afër kufijve me Sllovakinë e Austrinë, kanë raportuar se po stërngarkohen me pacientë.
Helikopterë dhe një autobus i posaçëm ambulancë të enjten morën 19 pacientë nga qyteti lindor, Brno, për t’i dërguar në spitalet e kryeqytetit Pragë, rreth 200 kilometra larg.