Oda e burrave është dhomë tradicionale shqiptare dhe është dhoma më e madhe e më e mirë e shtëpisë, e cila ka vatrën – oxhakun dhe është e pajisur me disa zbukurime tradicionale shqiptare që vijojnë kryesisht nga mesjeta, por edhe më herët. Oda ishte universitet i shumë brezave, ishte simbol i paqes dhe i besimit në drejtësi, ishte vendi ku i vihej guri shumë armiqësive, ku pajtoheshin ngatërresa e gjaqe, por edhe vendi ku u merreshin vendime të mëdha për kombin, vendi nga lëshohej kushtrimi kur atdheu ishte në rrezik.
Oda, aty ku shtrihej dora e pajtimit e shumë familjeve shqiptare
Oda ka edhe kuptimin e një gjyqi, një parlamenti, një shkolle ose më mirë të thuhet një forum i parisë së një familjeje patriarkale katundi, qyteze, fisi, bajraku. Oda e burrave, dhoma e miqve, karakterizohet si një shkollë e parë e brezave të rinj për të hyrë në jetë. Në odë të burrave nuk bëhen çfarëdo bisedimesh, e folmja duhet të matet mirë para se të thuhet.
Në odat shqiptare rrëfehej e kaluara jonë heroike nëpërmjet episodesh të ndryshme trimërie nga gjyshërit, axhët tanë, nga mysafirët e ndryshëm, që gjithmonë ishin të mirëseardhur në odat tona. “Oda pa mysafir thuhej si ara pa farë”. Aty hidheshin elementet e besnikërisë, bujarisë, trimërisë, guximit, durimit, mikpritjes. Në odë flitej edhe për mikun, edhe për armikun. Oda shqiptare ishte i vetmi institucion kulturor e politik në gjuhën kombëtare: aty mendohej, trajtohej, bisedohej, kuvendohej, merreshin vendime, këshillime, lindnin ide, shprehej, thuhej krejt çka i duhej një populli, kritika, lëvdata, pa ofendime, gjithnjë me qëllime të mira. Në odën e burrave shiheshin, lindnin, nxiteshin mosmarrëveshje dhe konflikte të vogla, por edhe të mëdha, nga të cilat edhe ato më tragjike.
Në odë fjala e kryeplakut dhe e pleqve kishte forcën e ligjit në vendin ku vepronte. Po kush e drejtonte pleqësinë dhe cilat ishin kompetencat e tij? Ai që drejtonte pleqësinë nuk mjaftonte të ishte më i moshuari i atij komuniteti. Ai, që të ishte kryeplak, përveç moshës duhet të ishte i familjes së njohur dhe më i mençuri, më i pjekuri, më i ndershmi, më i drejti.
Kryeplaku i Odës së Dukajginit
Në krye të odës ulej kryeplaku. Pas tij uleshin pleqtë e tjerët, me radhë. Në odat familjare mbaheshin tubime që trajtonin problemet, mundësitë e zhvillimit të gjithëmbarshëm dhe merreshin vendime për veprime familjare në të ardhmen. Kemi edhe oda familjare në të cilat merreshin vendime kombëtare e juridike. Eshtë për t’u thënë që edhe gjatë sundimeve të huaja, struktura e organizimit të jetës përbrenda shoqërisë shqiptare është mbajtur në jetë nga vendimet e odës, familjet që nuk iu kanë nënshtruar vendimeve të saj janë injoruar dhe janë marrë si të huaja. Duket që me ndikimin ose nga vetë tradita gjatë debateve janë përdoruar teknika të ndryshme të të shprehurit të mendimit. Një nga këto teknika është edhe të diskutuarit me mesele (bejte), një e folme e fjalëve të zgjedhura të shqiptuara njëra pas tjetrës rrjedhshëm me një ritëm që si të tëra japin një si kënaqësi.