Ish-kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka treguar dje se të shtunën është sulmuar nga disa persona, që siç ka thënë ai janë anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, raporton Gazeta Express.
“Jam nxanë në pritë në Karaçevë edhe më kanë sulmuar. Unë kam arrit me i identifiku, Besim Fera, Bujar Fera dhe Bekim Keka. E kemi denoncu sulmin, pastaj kish ndodh edhe një sulm tjetër pas një ore”, ka thënë dje për Express Kastrati.
Ndërsa, Kastrati sot në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Frontal në T7 me Arsim Lanin është shprehur i shqetësuar se si organet e rendit nuk kanë marrë ndonjë veprim në lidhje me këtë rast.
Ai ka thënë se është i brengosur se si organet e rendit nuk po merren me eksponentë të Vetëvendosjes.
E kjo sipas tij, është gjë e rrezikshme.
“Po është e vërtetë diku rreth orës 22:40 tre persona që kanë qenë pjesë e Vetëvendosjes, njëri është i njohur për organet e vendit, më kanë dal në pritë i kanë kontrolluar veturat vazhdimisht, kur e kanë parë veturën tonë kanë filluar me sulmu dhe kanë kërkua me na nxjerr prej veturës duke provu me hap derën dhe me bërtitë, ne kemi lëviz kemi vazhdu. Gjithashtu edhe pas një ore e kanë sulmuar një qytetarë tjetër, i kanë thënë pse po vjen ti me lobu këtu edhe me kërku vota për dikë tjetër. Atë madje edhe e kanë sulmu në trup fizikisht. Unë jam shumë i brengosur me organet e rendet. Ne kemi edhe video të një pjese të ngjarjes që ka ndodhur dhe organet e rendit veç heshtin. Ky është një rrezik shoqëror ku organet e shtetit janë duke hezituar me u marrë me eksponentë të Vetëvendosjes dhe kjo është shumë e rrezikshme”, ka shtuar ai.