Botapress, 13 Nentor – Një ditë para mbajtjes së raundit të dytë të votimeve në Kryeqytet dhe në 21 qytetet e tjera të Kosovës, deputeti dhe lideri i AKR-së Behgjet Pacolli përmes një postimi në Facebook, ka ftuar prishtinasit që të votojnë një “person me profil urban …i cili njëkohësisht është edhe njohës i mirë i projekteve infrastrukturore dhe ka aftësi të projektoj imagjinatën në realitet” ka shkruar Pacolli në Facebook, përcjellë Botapress.
Kush është ky “person me profil urban …i cili njëkohësisht është edhe njohës i mirë i projekteve infrastrukturore dhe ka aftësi të projektoj imagjinatën në realitet” më së miri e di vetë Pacolli, por duke u bazuar në përshkrimin që i bën, kandidati i preferuar i Pacolli ka emër: Ai është….
Ja postimi Behgjet Pacollit në Facebook
Bazuar në përvojën time të gjatë profesionale dhe faktin se në nëpër botë kemi projektuar dhe ndërtuar qytete të tëra që sot shërbejnë si shembull i harmonizimit të funksionalitetit të mirë dhe faktorëve hapësirë dhe kohë, mund të them lirisht se të projektohet ose më mirë të ndërhyhet në përmirësimin e kaosit urban të kryeqytetit, nevojitet një njeri me përvojë në urbanistikë, i cili është në gjendje të harmonizojë kërkesat e qytetarëve (për rrugë dhe trotuare funksionale dhe të sigurta, shetitore dhe hapësira të gjelbra) me shfrytëzimin e drejt të këtyre hapësirave duke pasur parasysh vizionin kohor (si shembull, çfarë do te ndodhë në 30 vitet e ardhshme).
Këtë mund ta zbatojë në jetë vetëm një person me profil urban, i cili njëkohësisht është edhe njohës i mirë i projekteve infrastrukturore dhe ka aftësi të projektoj imagjinatën në realitet.
Besoj se kryeqytetasit e kanë kuptuar se nuk ka më kohë për të humbur dhe do të dalin të votojnë masivisht, jo nga emocionet por nga nevoja urgjente për të krijuar një të ardhme dinjitoze për fëmijët tanë.
Prishtina duhet të bëhet vend për të gjithë.