Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, njëherësh kandidat i AAK-së për kryetar të Klinës, nuk i ka përmbushur as 90 për qind të premtimeve të tij.
Si prioritet i parë i Elezajt ishte radhitur fillimi i qeverisjes elektronike, por digjitalizimi i shërbimeve komunale ka ngecur aty ku e kishte lënë paraardhësi i tij Sokol Bashota.
Prioritet tjetër i Elezajt ishte stimulimi i zhvillimit të zonave industriale që punësojnë banorët lokalë përmes Partneritetit Publiko-Privat. Pastaj, kishte premtuar ujë pa ndërprerje dhe kompletim të rrjetit të kanalizimit, gjë që nuk e ka bërë. Elezajt kishte premtuar të sillte edhe investitorë, por asnjë nuk e ka sjellë.
Një prioritet tjetër i Zenun Elezajt ishte edhe ristrukturimi i kompanisë “Boksitet e Kosovës”, por as këtë nuk e kishte bërë. Për më tepër, ai kishte premtuar edhe heqjen e të gjitha taksave komunale për një periudhë katërvjeçare për bizneset e reja, si dhe ulje për 50 për qind për taksat komunale për të gjitha bizneset aktuale, që do të punësojnë të rinj. Prioritete të tjera të Elezajt ishin edhe ndërtimi i hapësirave të gjelbra dhe ndërtimi i parqeve dhe lodrave për fëmijë në çdo lagje të qytetit. Kjo është lista e plotë e prioriteteve të Elezajt për Klinën në vitin 2017.