Filmi më i ri i Marvel, “Eternals” është ndaluar nga disa vende në Lindjen e Mesme për shkak të portretizimit të një çifti homoseksual dhe të një skene të puthjes mes personave të të njëjtit seks.
“Eternals”, për shkak të censurës, nuk do të shfaqet në Arabinë Saudite, Katar apo Kuvajt.Angelina Jolie, e cila luan udhëheqësen e Eternals, ka reaguar menjëherë ndaj lajmit. Gjatë një konference për shtyp, 46-vjeçarja tha se ishte e trishtuar që audienca do të humbiste filmin dhe bukurinë e asaj marrëdhënieje, duke i quajtur pikëpamje të tilla të prapambetura.
Filmi, i cili do të dilte në Lindjen e Mesme më 11 nëntor, është hequr nga faqet e internetit në disa vende që e reklamonin, transmeton Klankosova.tv
Asnjë arsye zyrtare nuk është dhënë, por homoseksualiteti është ende i paligjshëm në pjesën më të madhe të Lindjes së Mesme dhe filmat që iu referohen çështjeve LGBT shpesh ndalohen në këto vende.
“Eternals” paraqet çiftin e parë homoseksual të Marvel-it në ekran.
Në një moment gjatë filmit, protagonisti “Phastos” dhe bashkëshorti i tij ndajnë një puthje pasionante. Kjo do të jetë puthja e parë e Marvel-it për të njëjtin seks që shfaqet në kinema.
Përpara publikimit, censuruesit në disa vende të Lindjes së Mesme kishin kërkuar modifikime për të hequr çiftin homoseksual, Por Disney, kompania që zotëron ekskluzivitetin e Marvel, refuzoi kërkesën.
“Jam krenare për Marvel që refuzoi t’i hiqte ato skena”, është shprehur Angelina Jolie.