I dyshuari kryesor për rrëmbimin e tij është Jeton Vlasaliu, i cili u arrestua më 14 prill, gati një javë pas ditës kritike dhe që nga ajo kohë po mbahet në paraburgim. As kërkimet e Policisë së Kosovës e KFOR, madje as 30 mijë euro shpërblim që ka ofruar familja e Bedriut, nuk sollën për 7 muaj asnjë informacion për fatin e të riut.
Vëllai i Bedriut, Vedati tha për Sinjalin se nëse deri javën e ardhshme nuk marrin asnjë informacion nga institucionet përgjegjëse, do të organizojnë protesta.
“Absolutisht (asnjë informacion nuk e kemi marrë), përveç që një person është i arrestuar edhe Prokuroria e din, është në rrjedha, është i paraburgosur. Dmth, nuk kemi asnjë informacion të vetëm. Fatkeqësisht deri tash nuk ka kurgjo, por më e keqja është që prej institucioneve, të gjitha, jo vetëm njërës, por të gjithave, përveç Policisë, që nuk është në dorën e saj, asnjë informacion të vetëm nuk e kemi. Jo veç tani, po në vazhdimësi. Po presim, edhe këtë javë, qysh po e shtyjmë në njëfarë forme, mandej me dalë dhe me bë protesta, e gjithçka tjetër”, tha ai.
Për familjen këto shtatë muaj janë më shumë se tepër, shprehet Vedati, i cili shprehet i habitur se si Prokuroria nuk arrin të marrë informacione për këtë rast nga i dyshuari që ndodhet në paraburgim.
“Për momentin, nuk kemi asgjë për të thënë, përgjegjësinë do ta kërkojmë. Shtatë muaj nuk është tepër, por më shumë se tepër, për mos me dhënë të paktën një informacion. Edhe këta e kanë personin brenda (të dyshuarin), se sikur nuk do të ishte në Kosovë, mrena, është diçka tjetër se nuk e din ku ka ndodhë, po ti e ki njerin brenda edhe nuk po munden me nxjerr një informacion të vetëm që me ditë që ka prova. Nuk kemi asnjë informacion, hiq, hiq, kurgjo”, tha ai, duke shpresuar se së shpejti do të marrë lajme të mira për vëllain e tij.
Gjatë muajit gusht, Prokuroria Themelore e Prishtinës doli me një deklaratë për këtë rast, duke njoftuar se përkundër bashkëpunimit me KFOR-in dhe FSK-në, ende s’kanë arritur ta identifikojnë vendndodhjen e Rexhepit.
Prokuroria pati theksuar se “Prokurori i Shtetit është duke punuar me seriozitetin maksimal dhe me të gjitha kapacitetet që disponon në koordinim të plotë më Policinë e Kosovës, për këtë rast”.
Ndërkaq, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 4 gusht, ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji S.G., i cili dyshohet se kishte mashtruar familjen e Bedriut, duke u paraqitur fakte të rreme, për gjoja gjetjen e tij, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore, në atë mënyrë që ka kontaktuar përmes messengerit me vëllain e Bedriut, V., duke u prezantuar si agjent i CIA-s amerikane.
S.G., dyshohet për “Mashtrim”, “Shantazh”, “Prezantim të rremë si person zyrtar”, “Falsifikim të dokumenteve”, “Manipulim të provave”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.