Punëtorët Shëndetësorë kanë sot protestuar para Qeverisë së Kosovës.
Ata kanë kërkuar procedimin e Projektligjit për Paga në sektorin publik dhe implementimin e tij nga janari i vitit të ardhshëm.
Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla ka thënë se Qeveria po punon në mënyrë të fshehtë.
Ai është shprehur se nëse deri në fund të këtij viti nuk procedohet Ligji për Paga, atëherë kjo protestë do të kthehet në reagime më të ashpra sindikale.
“Ne siç po e shihni sot jemi mbledhur përsëri këtu para qeverisë që t’i shpalosim hallet tona sa i përket gjendjes sociale të punëtorëve shëndetësorë. Siç e dini kohë më parë ne e bëmë një protestë simbolike me shpresën e vetme që presidentja dhe kryeministri do të reflektojnë dhe të paktën të na ftojnë edhe neve në bisedime sa i përket ligjeve që kanë të bëjnë me mirëqenien e mbarë popullatës. Ne sot kemi dal t;i thëjmë stop kësaj jotransparence dhe kemi dal t’i lajmërojmë se nëse jo ligji i Pagave nuk shkon sivjet, kjo protestë tani më do të kthehet edhe në reagime më të ashpra sindikale. Unë kam nderin dhe kënaqësinë se nuk do ta përfundoj me kaq”, ka deklaruar ai.
Syla ka thënë se Ligji i Pagave do të sillte barazi sociale, mirëpo ai është shprehur se nga qeveria nuk kanë ftuar përfaqësuesit e sindikatës e ata të shoqërisë civile për të diskutuar për të.
“Ata nuk donë të bisedojnë me qytetarët e vet. Kërkesa jon e vetme është Ligji i Pagave. Një ligj i cili kishte me vendos barazinë sociale me të cilin slogan ka ardh edhe qeveria aktuale. Por kjo nuk po ndodh. Qeveria në mënyrë të fshehtë po punon, pa ftuar përfaqësuesit jo vetëm të sindikatave por edhe të shoqërisë civile”, ka shtuar ai.